Mema: Nuk toleroj sherr si fëmijët për topin, Partizanit nuk i shkoj në festë!

0

Tirana dje festoi, por vetëm pjesën e kualifikimit në finalen e Kupës së Shqipërisë. Tre golat e pësuar dhembin, edhe pse bardheblutë shënuan pesë herë në portën e Luftëtarit. Pas ndeshjes, trajneri Ardian Mema foli qartazi dhe u shpreh i pakënaqur për atë që ekipi i tij shfaqi në fushë në golat e pësuar.

KUPA – “Është një lloj suksesi kalimi në finale. Më ka gëzuar kualifikimi, por kam qenë i zhgënjyer nga ekipi për shkak të disa veprimeve të pafalshme. Nuk duhet të ndodhin në një ndeshje futbolli, nuk kemi pse pësojmë ashtu golash. Kemi falur si gjithmonë. Fitorja i bën mirë ekipit, sepse e çliron. Kemi ndeshje shumë të vështira me Partizanin dhe Kastriotin, janë dy përballjet më të rëndësishme. Duhet të përgatitemi për dy ndeshjet, sidomos derbin. Do bëjmë analizë të gjatë dhe të thellë. Kur luan me ekipe më të forta se Luftëtari, ato nuk të falin dhe fitorja i kalon ekipit kundërshtar”, u shpreh Mema fillimisht.

PENALLTIA – Fillimi i pjesës së dytë nisi mirë për Tiranën, që fitoi një penallti. Aty u dëgjua zëri i Memës: “Ta gjuajë Kobina, se u bëmë si ekip lagjesh”. Të gjithë donin të bëheshin heronj në atë moment, por ishte ganezi që shënoi. Trajneri i bardhebluve sigurisht nuk mund të flasë edhe për atë moment, që ndoshta nga gëzimi i kualifikimit edhe e ka harruar. Sërish tërheqje veshi për futbollistët.

“Para ndeshjes përcaktohet kush i gjuan penalltitë, kornet, goditjet e dënimit. Këto janë të përcaktuara. Nuk e mbaj mend mirë këtë që paskam thënë, pasi mbahem pak për batuta. (Ndërhyn gazetari: E keni thënë te penalltia e parë). OK. Edhe te penalltia e dytë ka pasur një problem të tillë. Trajneri përcakton dhe merr përsipër gjithçka. Edhe nëse e humbet lojtari penalltinë, e marr unë përsipër.

Nuk mund ta imagjinoj dot që ta prekin topin me dorë shtatë vetë, a pesë vetë, nuk e di sa ishin. Pastaj kalojmë në një amatorizëm. Është e përcaktuar kush e gjuan penalltinë. Po e humbi, me stafin përcaktojmë kush e gjuan radhën tjetër penalltinë. Nuk mund të shkojnë të gjithë ta prekin topin me dorë dhe të thonë ‘ta gjuaj unë, ta gjuaj unë’. Atëherë ose kemi ekip fëmijësh, ose them që ka elementë amatorizmi”, deklaroi trajneri i 24 herë kampionëve të vendit.

Kobina feston pas penalltisë së realizuar me sukses

FITORE NË DERBI – Mema nuk mund të marrë përsipër e të thotë që Tirana këtë herë do e fitojë derbin. Është një përgjegjësi e madhe, që në fakt as që e ka në dorë. Gjithsesi diçka tjetër varet prej tij: të mos shkojë në festën e të kuqve. Këtë e premton, sikurse edhe ua uron titullin “armiqve” të përjetshëm të qytetit.

“Unë nuk premtoj asgjë, pasi nuk kam shkopin magjik. Mund të pyesësh çdo trajner dhe do të thotë të njëjtën gjë që po them unë. Duhet ta përgatitim ndeshjen dhe të bëjmë më të mirën. Ekipi ka kohë që nuk fiton me Partizanin dhe mendoj që do ta organizojmë shumë mirë që të regjistrojmë një sukses në derbi. Sigurisht nëse do jetë e mundur. Megjithatë luajmë ndaj një ekipi shumë të fortë, që është në krye me meritë. Shpresojmë të bëjmë më të mirën”, tha Mema.

“Do u shkoni në festë nëse ju ftojnë? Mund të shkoni ju, me ndonjë tjetër (qesh). Kjo ishte sa për batutë. E thashë që ata kanë merita që janë në krye. Mund ta fitojë titullin, por pas ndeshjes me ne. Do shkoni domethënë? Jo, nuk do shkoj. Gjithsesi pas ndeshjes me ne ia uroj me gjithë shpirt ta uroj titullin”, shtoi trajneri i Tiranës.

Festimi i Malës pasi vendosi derbin me golin e tij

MBROJTJA – Këtë sezon reparti i mbrojtjes ka përfunduar shpesh nën akuzë. Kur ishte ndeshje 4-1, është e paimagjinueshme që të pësosh ashtu si bën Tirana. Në ato momente nuk kishte asnjë presion. Diçka e përsëritur, edhe në Kupë me Laçin, edhe pse kishin shënuar tre gola, mund të kishin pësuar dhe të vinin në diskutim kualifikimin në gjysmëfinale.

“Pësimi i golave është gjëja që më ka shqetësuar më së shumti. Nuk mundesh t’i kesh gjërat të garantuara dhe të pësosh ashtu golash, të marrësh topa pas shpine. Kjo më shqetëson shumë dhe kam qenë i ashpër me futbollistët. Pse ndodh? Është ajo pjesa e vetëkënaqësisë mund të them. Vetëkënaqen shumë shpejt. Domethënë, një ekip që vetëkënaqet shumë shpejt me një rezultat të tillë, është ekip i brishtë ose është ekip i vogël.

Ne duhet të fitojmë vazhdimisht. Këtë kam kërkuar në analiza. Nuk duhet të vetëkënaqemi me një gol apo dy, apo me një ndeshje. Duhet të fitojmë shumë ndeshje, si në fazën e tretë kur foli gjithçka për ne. Atëherë po, isha edhe unë i vetëkënaqur. Ishin nëntë ndeshje dhe mund të vetëkënaqeshe. Çështje cilësish problemet në mbrojtje? Mund të jenë edhe çështje cilësish, por edhe kjo pjesa e mentalitetit fitues. Ajo bën atë që ti të kërkosh të fitosh çdo ndeshje e jo të vetëkënaqesh.

Mbrojtja, problem i repartit, apo i gjithë ekipit? Ndoshta nuk jam në gjendje ta them për ndeshjen me Luftëtarin, por do të bëj analizë të gjatë. Mund të jetë si thoni ju, por nuk mund ta them dot. Na ka ndodhur si repart, por edhe si individ. Na ka ndodhur që kemi gabuar. Mendojmë t’i rregullojmë gjërat në të ardhmen”, përfundoi Mema.

VLADIMIR PRENGA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.