Mema: Nuk kemi arritur asgjë, Sentamu problem i klubit

Fitorja në kupë përballë Flamurtarit ka ngrohur atmosferën tek ekipi i Tiranës, por tashmë nis kampionati dhe nesër është dueli kundër Kamzës. Bardheblutë kërkojnë fitoren për shumë arsye. Ardian Mema flet përpara përballjes së radhës në shtëpi dhe beson tek ekipi i tij.

Trajneri i Tiranës vlerëson kundërshtarin, nuk “gënjehet” nga fitorja kundër kuqezinjve, flet për merkaton duke mos treguar asnjë emër dhe nuk i intereson forcimi i kundërshtarëve.

KAMZA – “Është një ekip që e kam vlerësuar goxha, sepse ka lojtarë shumë të mirë në përbërje. Ka një ekuilibër si ekip dhe është e vështirë për ta fituar ndeshjen, aq më tepër me ndryshimet që kanë bërë në stafin drejtues. E kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe luajmë në fushën tonë. Fitorja ndaj Flamurtarit ka sjellë një atmosferë tjetër në klub. Mendoj që do të jetë ndeshje e bukur dhe mund të kemi një rezultat në favorin tonë.”

EKIPI – “Pak a shumë janë të njëjtët futbollistë si ndaj Flamurtarit. Çdo ndeshje ka specifikën e vet. Kupa kërkon të kesh rezultat të mirë dhe më pas ta administrosh, ndërsa kampionati është vetëm me një ndeshje. Mendoj që lojtarët kanë luajtur mirë dhe kemi ekuilibër brenda ekipit. Për këtë arsye do të jenë të njëjtët lojtarë. Gjithsesi, çdo gjë do e tregoj fusha.”

FORMA – “Nuk është vetëm ndeshja ndaj Flamurtarit tregues.Jam i vetëdijshëm se nuk kemi arritur asgjë. Vazhdimësia do të jetë tregues dhe ndeshjet në fazën e tretë. Këto do të tregojnë se çfarë ekipi është Tirana dhe çfarë force ka si ekip.”

KUPA – “Ne nuk kemi bërë asgjë. Kualifikimi në kupë nuk ka përfunduar akoma. Duhet të jemi më këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë, duke arritur rezultatet që na nevojiten. Vetëkënaqësia të sjell në nivelet që ishim.”

MERKATO  – “Unë e kam thënë dhe më përpara që vazhdohen bisedimet me lojtarët për të arritur akordin. Nuk është se do sjelli ndonjë ndryshim shumë të madh një ose dy lojtar që do t’i afrohen ekipit, pasi grupi është më i rëndësishëm se individi në kushtet që është Tirana. Duhet të shkojnë paralelisht gjërat, grupi duhet të mbahet ai që është. Edhe pse përforcimet do të sillnin risi dhe mund ta bënin më të fortë.”

Mensah te Tirana? – “Është një pyetje që nuk mund të përgjigjem. Nuk kam bërë me dije asnjë lojtar që kam diskutuar. Një lojtar është jashtë Shqipërisë, që në dijeni jemi vetëm unë dhe presidenti. Lojtarët po i presim dhe unë kam thënë që do e bëj me dije për lojtarët që klubi ka folur, sepse nuk ka asgjë për t’u fshehur.”

MERKATO E KUNDËRSHTARËVE – “Nuk më intereson se kush kalon në një ekip tjetër. Më intereson ekipi im dhe gjatë gjithë kohës jam i fokusuar te lojtarët që dua të thërras në ekip. Kam dëgjuar që janë bërë blerje nga ekipe të ndryshme. Dua që te Tirana të afrohen lojtarë, ashtu siç kanë marrë ekipet e tjera, por janari dihet që është shumë i rrezikshëm për marrjen e lojtarëve. Duhet të jesh shumë i bindur për të firmosur me një lojtar dhe nuk mund të marrësh një lojtar anonim.”

SENTAMU  – “Duhet të pyetet klubi, pasi unë jam trajner dhe shikoj lojtarët që kam në dispozicion. Pjesa tjetër është pjesë menaxhimi i klubit. Nuk është se nuk e shoh si problem, pasi e kisha stërvitur dhe përgatitur shumë mirë, sidomos në daljet para portës, pasi kujtojmë humbiste raste, ashtu siç ka shënuar dhe gola. Ishte një lojtar që e kisha pjesë të formacionit. Kishte një problem me pasaportën, por gjëra të kësaj natyre nuk kam dëshirë të merrem. Është pjesë e klubit se si negocion me lojtarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *