Mema: Loja e sotme më jep garanci, ja pse u dënua Greca

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema foli për Supersport pas ndeshjes së fituar kundër Teutës, ku pranoi se loja që bënë të tijtë i jep garanci për të ardhmen. Duke komplimentuar paraqitjen e të tijve, Mema tha:

NDESHJA – “Loja që bëri Tirana më jep garanci për të ardhmen. Ekipi u shpreh shumë mirë. Kjo ka qenë dhe arma jonë më e fortë sot, pasi luajtëm mirë. Duke luajtur mirë, edhe fituam”.

GOLASHËNUESIT – “Kjo është vetëm një ndeshje. Të shohim në vazhdimësi nëse do t’i kemi lojtarët në këtë formë të mirë. Ekipit iu rikthye sot fizionomia që kishte gjatë gjithë fazës së tretë. Për këtë gjë më vjen shumë mirë, por dhe për rezultatin pozitiv”.

GOLI I PËSUAR – “Nuk e kam parë golin shumë qartë. Mendoj që është një vendosje e mirë, por ishin statik. Duhet të kemi më shumë luftë tek topi. Teuta është shumë e fortë dhe ka shtatlartësi, prandaj goditjet standarte ishin sikleti im. Nuk mund të pësohen kështu golash, e kemi thënë dhe herë të tjera. Ne do të bëjmë punën tonë, duhet të riparohemi në vazhdimësinë tonë. Duhen riparuar gabimet dhe të jemi më në ekuilibër”.

FJALËT E THËNA – “Nuk kam koment për pyetjen tuaj. Arsyeja është shumë e thjeshtë. E kam thënë dhe dje në konferencë për shtyp, që do të flas sërish për ato që kam thënë. Të jeni të sigurt që do të flas në një moment të dytë.

GRECA – “Greca është pjesë organike e ekipit. Çdo lojtar që thyen disiplinën ose rregullat që ka vendosur klubi dhe trajneri, ndëshkohet. Çdo lojtar duhet të jetë i rregullt dhe të mos ketë konflikte. Ne duhet të bëjmë punën sa më mirë dhe të përmirësohemi. Në një moment, Greca mund të ketë pasur diçka që nuk e kuptova, ka qenë në presion ose ku di unë. Bëmë një debat të vogël në stërvitje dhe fitoi rregullorja”.

ZGJEDHJET NË FORMACION – “Lojtarët që do të jenë më në formë do të luajnë. Ata që janë më mirë, do t’i aktivizoj, nuk kemi asnjë lloj problemi. Ndeshje ka sa të duash dhe ka vend për të gjithë. Sot, Turtulli ka qenë i vrarë, por Goxhaj bëri shumë mirë. Çdo lojtar që ne kemi, është i vlefshëm, këtë gjë e treguan Goxhaj dhe Doka. Kemi një grup të mirë dhe unë do t’i shoh gjatë gjithë kohës në stërvitje”, përfundoi Mema.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *