Mema: Kemi hallet tona, jo të Partizanit! Me të fortat nuk humbim

Ardian Mema, trajneri i Tiranës, doli sot para mediave dhe foli për gjendjen e skuadrës së tij dhe dëshirën për të vijuar me rezultatet pozitive. “Në bisedat që kam pasur me futbollistët, kjo ka qenë tema: të ruajmë vazhdimësinë. Kemi sfida të vështira në fillim, duke nisur nga ndeshja e nesërme. Kemi pak lodhje fizike pak, pasi kanë qenë disa ndeshje në pak kohë. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive”, tha Mema.

Kukësi është kundërshtari i radhës dhe trajneri i bardhebluve mendon se përballjet me Flamurtarin kanë qenë një barometër i forcës së tyre dhe mundësisë për të kaluar me sukses verilindorët. “Flamurtari është tregues force, duke ditur që ata kanë lojtarë me kualitet dhe eksperiencë. Janë aty-aty me Kukësin. Ky ekip me të fortat nuk ka humbur, veçse me Partizanin. Mendojmë ta kalojmë këtë ndeshje dhe mendoj se do e bëjmë. Jemi të plotë dhe pse jo të marrim një rezultat pozitiv”, shtoi tekniku kryeqytetas.

“A do i bëjmë nder Partizanit? Kemi problemet tona fillimisht. Nuk na bie ndërmend për askënd, Partizani bën punën e vet dhe ne tonën. Shpejt vjen derbi dhe mund ta frenojmë edhe Partizanin”.

“Fitoret e Luftëtarit e Kastriotit? Nuk para shoh poshtë, di të shoh sipër. Ky ekip nuk krahasohet me ekipet poshtë, edhe si emër, por edhe si futboll. Besoj se Tirana do ketë vazhdimësi të mira. Gjithsesi të vënë në presion ato ekipet poshtë që kanë fituar. Ka edhe ndeshje të çuditshme në kuptimin e rezultateve. Për shembull Laçi është shumë i fortë që të humbasë në shtëpi. Gjithsesi futbolli i njeh të tria rezultatet. Duhet të shohim punën tonë, jo të tjerët. Nëse jemi në rregull vetë, në raportin tonë me lojën, do na shkojnë punët mirë”.

“Barazimi, i kënaqshëm? E kam thënë edhe herë tjetër, mentaliteti im është të fitojmë ndeshjet. Nuk luajmë për barazim, por ka ndeshje që luhen edhe për të mos u humbur. Kuptohet kjo edhe nga forca e kundërshtarit. Mund të jetë i pranueshëm edhe barazimi. Ekipi luan për të fituar. Shpesh tërhiqesh zvarrë për një barazim, por nuk është në mentalitetin tim. Një barazim dinjitoz edhe mund ta marrim, por me lojë”.

ARBITRA TË FIFAS – “Kam qenë i fokusuar e stërvitja. Kjo është diçka që nuk dua të merrem. Jam i kënaqur me arbitrimin, ka pasur probleme. Duke ardhur drejt fundit arbitri ka pasur problematikat e veta. Përgatis ekipin për ndeshje, pa marrë parasysh arbitrin. Futbolli i ka polemikat, secili kërkon drejtësi. Është lojë me gabime. Gabojnë lojtarët, por edhe arbitrat. Kjo sjell polemika. Nuk duam t’i japim shkas askujt që të ketë polemika. Loja e mirë nuk ta jep mundësinë. Një ekip kërkon të gjykohet mirë, që të mos ketë polemika”.

DERBI ME PARTIZANIN – “Ka kohë deri të derbi. Mendoj për ndeshjen e radhës. Secila ndeshje ka specifikën e vet, uroj të shkojmë deri te derbi me rezultate pozitive. Do i kishim gjërat më në kontroll, ekipi nuk do të ishte në presion”.

“Tirana, në mbrojtje? Kemi biseduar me lojtarët për mënyrën e lojës. Ndeshja do i tregojë të gjitha. Nuk mund t’i bëj me dije. Hasani do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje. I gjithë grupi është i plotë”.

“E shkuara si mësim? Nuk e di për lojtarët dhe klubin, unë e marr në konsideratë. Ky kampionat është ndryshe nëse flasim për statistikat e para dy viteve. Të kthesh kokën prapa të bën mirë, duhen kujtuar hallet që ka pasur ky klub. Gjithashtu edhe të përgatitemi për të menaxhuar mirë ekipin dhe grupin dhe të marrim rezultate pozitive. Duhet të jemi të përqendruar çdo ndeshje dhe kjo do jetë arsyeja që nuk do të na lërë të shohim prapa”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *