Mema, këllqet e Tiranës dhe provincialët

0

Një humbje në Vlorë, ndaj një ekipi mbushur me të rinj dhe pa paguar prej muajsh duhej të ishte arsye për të mos folur, ose të paktën të bëhej një analizë e fortë në kurriz të ekipit. Ardian Mema në këtë drejtim është për t’u respektuar, gjithnjë ka marrë përgjegjësitë e tij dhe ka akuzuar ekipin e vet për humbjet, pa gjetur justifikimet e zakonshme shqiptare.

Problemi është se Tirana është Tirana, elitë, maja e futbollit të paktën për nga historia. Këtu nis e bëhet lëmsh puna, sepse historia e klubit ngatërrohet me dëshirën për ta pasur gjithnjë në majë, edhe kur nuk e meriton. Shumica e gazetarëve, që natyrisht janë nga Tirana ose mundohen të tregohen më tiranas se tiranasit, vajtojnë e çirren se Tirana duhet të kthehet në majë, se i bien në qafë, se nuk e duan dhe paska një komplot për ta rrëzuar.

Kështu, krijohet një ortek idesh absurde dhe virusi i viktimizimit kap gjithë ambientin bardheblu, edhe kur lojtarët e vet humbasin raste e penallti pa fund, si ndodhi në Vlorë. Virusi kapi edhe Memën, i cili në Vlorë kaloi nga analiza e pastër teknike dhe autokritika, te disa fraza të pafalshme, raciste.

“Le të luajë futboll provinca!”, tha Mema në nerva e sipër, batutë që bën mirë ta korrigjojë në ditët e ardhshme dhe të kërkojë falje. Futbollin nuk e ka shpikur Tirana, futbolli nuk është i kryeqytetit, aty ku ekzistojnë vetëm një stadium dhe nja 4-5 fusha në total, sepse qeveritë dhe bashkiakët kanë menduar që vlejnë më shumë pallatet.

Nëse kohët e fundit Tiranës i është mbledhur laku në fyt, nuk është faji i provincës, as i Laçit dhe Kastriotit, meqë nuk ua thotë dot emrat. Faji është i Tiranës, klubit, lojtarëve dhe trajnerit. Nuk është problemi i askujt që lojtarët e Kastriotit apo Flamurtarit janë të uritur, ndërsa ata të Tiranës duken si “lule mos më prek”, duke u ankuar për gjithçka. Në fushë zbresin 11 burra kundër 11, fiton kush ka cilësi dhe sidomos zemër e këllqe. Nëse të godasin, reago në fushë, “sy për sy e dhëmb për dhëmb” .

Tirana u ankua se në Fushë-Krujë një arbitër përdori fjalë raciste ndaj Ngo, por fraza e Memës dje në Vlorë ishte po aq raciste dhe diskriminuese, aq më shumë që lojtarë nga Tirana luajnë anembanë vendit dhe vetë Tirana është e mbushur me “provincialë”, pa harruar të huajt.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.