Mema i sinqertë: Ja gabimet, të rinjtë dhe projekti i sezonit të ardhshëm

0

Ardian Mema, pasi Tirana shpëtoi prej rënies nga Superiorja, u çlirua disi. Edhe pse i vjen turp, pas ndeshjes me Flamurtarin e pranoi situatën jo të mirë. Në deklaratën e dhënë për mediat ai analizon se pse Tirana e mbylli në vendin e shtatë në kampionat, ndërkohë që pranon se ka bërë një gabim dhe lidhet me aktivizimin e të rinjve.

E ardhmja është gjithashtu në fokus dhe Mema thekson se ka gati projektin për vazhdimësinë e tij te bardheblutë, por nga ana tjetër edhe paralajmëron se nëse nuk plotësohen kërkesat e tij atëherë mund të hapë krahun. Tekniku kryeqytetas do Tiranën sipas pikëpamjeve të tij.

SEZONI AKTUAL– “Mendoj se mund të konsiderohet sezon i suksesshëm nëse fitojmë Kupën. E kam gjetur ekipin shumë keq dhe kjo dihet. Ndeshjet e para kishim probleme, një ekip na e kthente ndeshjen në 45 minuta. Mendoj se është bërë punë disi e mirë, por ka vend për të përmirësuar. E dyta është se duhet kohë, asgjë nuk arrihet në kohë rekord”.

“Vendi i shtatë, e kishit menduar? Kam pretenduar të ngjitemi lart. Ju e keni parë se si ka luajtur Tirana, por kemi falur gjithë kohën. Ndaj dolëm të shtatët. Me pikët e lëna mund të shkonim edhe në vend të tretë e të katërt. Nga gabimet duhet të mësojmë të gjithë, duke nisur nga unë e deri te drejtuesit e klubit”.

E ARDHMJA – “Patjetër që e kam një projekt për sezonin e ardhshëm. Nuk ka asgjë për të fshehur, unë do jem pjesë e Tiranës. Projektin e kam gati dhe e di shumë mirë se çfarë do bëjmë. Baza e ekipit? Nuk mund të flas, pasi kemi ndeshje të dielën”.

“Nëse ekipi nuk pëson ndryshime, do qëndroni? Unë nuk pranoj të qëndroj asnjë sekondë nëse nuk bëhen gjërat ashtu si them unë. Mund të largohem, nuk është problem fare. Mund të iki që sot”.

“A jeni takuar me drejtuesit? Patjetër. Do kemi një projekt të gjithë së bashku. Do mundohemi të bëjmë më të mirën për këtë klub, do ulemi dhe do i shohim gjërat hap pas hapi me shumë kujdes. Duhet Tirana të shkojë aty ku i takon. Sa i takon emrave në merkato, nuk mund të zbuloj gjë tani. Pas Kupës do bisedohet, duam të fokusohemi aty dhe të fitojmë Kupën”.

Doka (d), Çelhaka, Ismailgeci (m) në stërvitjen e Tiranës.

TË RINJTË – “E kam thënë: me lojtarët flas drejtpërdrejt, sikurse edhe me drejtuesit e klubit. Një gabim që mund të kem bërë unë, që e pranoj, është që nuk kam futur në lojë lojtarët e rinj. Kjo pasi kemi qenë në një pozicion të vështirë në renditje. Ishim në fund të tabelës dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk i kam aktivizuar. Mendoj që kam bërë gabim, duhet ta kisha provuar më shpejt”.

FINALJA E KUPËS – “Kukësi dihet që është ekip shumë i fortë, ka elementë shumë të mirë brenda në ekip. Gjithsesi kjo është një ndeshje dhe në një ndeshje të tillë është frika ajo që të bën mos të japësh maksimumin. Ne nuk kemi çfarë humbim, objektivin tonë e përmbushëm. Pra Tirana mbijetoi, turp më vjen ta them, por duhet thënë ashtu siç është. Duhet të tentojmë fitimin e Kupës”.

DENIS LALA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.