Mema: Halili i kënaqur, tifozët nuk mund të vazhdojnë kështu

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, në “Gol pas goli” në Supersport, ka komentuar barazimin ndaj Kukësit dhe sidomos situatën skandaloze në fund të takimit, kur një grup tifozësh u futën në fushë për t’i kërkuar llogari skuadrës.

“E gjeta presidentin në dhomat e zhveshjes. Patëm një bisedë të shkurtër, na tha që ekipi luajti mirë dhe është i kënaqur nga puna jonë”.

SITUATA – “Do isha dakord nëse do kritikohej ekipi po të luante keq, por tifozët duhet ta inkurajojnë ekipin. Nuk mund të shkojë gjatë kjo situatë, me tifozë që vijnë dhe nuk na përkrahin. Megjithatë, tifozët do të kthehen në stadium, sepse edhe ekipi po kthehet te loja e mirë”.

RASTET E PAKTA – “Kukësi është ekip shumë i fortë, nuk mund të kesh çdo ndeshje raste si në ndeshjet e shkuara. Megjithatë, Tirana luan mirë dhe i patëm disa raste për shënim”.

PASIMI I FUNDIT – “Duhet parë sidomos pjesa e pasimit të fundit, duhet folur me lojtarin që jep këtë pasim. Nuk më kujtohen shumë raste në këtë moment, por do të analizojmë çdo rast”.

PUNA E BËRË – “Nuk ka fund kurrë përmirësimi, derisa të vdesim. Ekipi u vendos mirë në fushë, bëra edhe një lëvizje në sistemin e lojës dhe mendoj se ekipi u shpreh mirë, por i mungoi goli. Kemi pasur përballë një ekip të vendosur shumë mirë në fushë, por mund ta fitonim ndeshjen. Gjithsesi, ekipi ka rritje, edhe pse nuk mund të kënaqem me kaq, sepse për mua fitorja është e shenjtë, jo barazimi, sepse kam qenë dhe jam pjesë e një klubi me mentalitet fitues”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *