Mema: Arbitri skandaloz, nuk e kuptova reagimin e policisë

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, shpjegoi momentet e tensionit midis tij dhe forcave të rendit në përfundim të ndeshjes Kastrioti-Tirana. Në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”, tekniku kryeqytetas foli ashpër kundër arbitrit Olsi Sokoli dhe kushteve të fushës së stadiumit “Redi Maloku”, të cilën e konsideroi “të papërshtatshme për të luajtur futboll”.

“Së pari, dua të sqaroj ngjarjen në fund të ndeshjes. Shkova te gjyqtari për ta pyetur pse më largoi nga stoli gjatë ndeshjes. Në atë moment ndërhyri një polic i veshur me të bardha, duke më goditur së bashku me dy policë të tjerë. Unë shkova thjesht të pyesja atë arbitër skandaloz pse më nxori me karton të kuq, kaq, nuk kisha asnjë qëllim tjetër dhe nuk e kuptoj reagimin e policisë. Mora të shtyra e goditje, nuk pata mundësi as të flas me arbitrin më pas. Duket qartë nga pamjet që unë nuk shkoj për konfrontim tek arbitri, doja një komunikim normal me një arbitër që në fakt kishte tendencë për të na dëmtuar gjatë ndeshjes. Nuk shkova t’i jepja dorën, sepse ai njeri është skandaloz, nuk meriton asgjë, por nuk kisha ndonjë plan për konfrontim.

“Pasojat? Ky është problemi, nëse të vidhet ndeshja do ketë pasojë. Nëse do vazhdojmë kështu, me arbitra të tillë, të prishet gjithçka, sezoni, investimi, karriera. Duhet parë mirë kjo pjesa e arbitrimit, sepse përndryshe nuk do ketë mbarëvajtje në futbollin shqiptar. Ishalla nuk ndodh gjë, sepse mund të ndodhin gjëra edhe më të rënda se ajo në Fushë-Krujë”.

FUSHA – “Fusha nuk ishte në cilësinë e duhur, aty nuk mund të luhej më futboll, ndërsa arbitrimi ishte skandaloz. Dy lojtarë tanët morën dy kartonë të verdhë dhe s’do të jenë në ndeshjen kundër Laçit. Ky arbitër m’u duk i kalkuluar mirë.. Nuk di sa ta kuptoj këtë arbitër, duke marrë parasysh rastet nuk di çfarë të them”.

ZËVENDËSIMI I NGO – “Ai është provokuar 4-5 herë nga lojtarët e Kastriotit, ndoshta ka qenë edhe strategji e tyre. Ngo është lojtar gjaknxehtë, kalon shpejt në konfrontim. Unë doja që të mos kishte acarime, doja që lojtarët të qëndronin të qetë, por e pashë të arsyeshme ta ndërroja, sepse Ngo më duhej për të ardhmen dhe vura re që arbitri ishte tendencioz ndaj tij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *