Melka tregon vuajtjet në Gjirokastër: As nuk më pyetën pas operacionit

Ilia Melka u afrua verën e shkuar te skuadra e Luftëtarit, por nuk arriti që të luante asnjë takim me skuadrën bluzi. “Gardiani” ishte i pafat, pasi u dëmtua ende pa nisur sezoni, duke regjistruar vetëm një ndeshje në stol, saktësisht më 1 shtator ndaj Flamurtarit. Problemet me gjurin bënë që ai të operohej dhe të qëndronte për një periudhë kohore të konsiderueshëm jashtë fushave të blerta.

Korçari u largua nga skuadra jugore, por duket se eksperienca në Shqipëri i ka lënë një shije të hidhur. Në një prononcim për Telesport, Melka tregon se nuk e mendon më që të luajë  në Shqipëri, duke treguar dhe arsyet. Portieri tregon se në Gjirokastër ka kaluar një periudhë të vështirë, për faktin se jo vetëm u desh që të mbulonte vetë shpenzimet e operacionit, por askush nga drejtuesit as nuk mori mundimin për të pyetur se si po shkonte faza e rikuperimit.

Në të njëjtën kohë, lojtari tregon se Luftëtari i kishte komunikuar se nuk do të paguhej për kohën që nuk kishte luajtur, çka ai e konsideron si diçka absurde, për një skuadër profesioniste.

AVENTURA NË GJIROKASTËR – “Firmosa për Luftëtarin më 31 korrik. Një javë para fillimit të kampionatit u dëmtova në gju, në një ndeshje miqësore kundër Bylisit. Fillimisht kreva terapi për 3 javë, por kur u ktheva në Gjirokastër gjuri më shqetësonte sërish, gjatë stërvitjeve. Shkova sërish në Greqi për kontrolle të reja dhe mjekët më thanë që duhej të operohesha”.

DËMTIMI – “U operova, pagova vetë për gjithçka. Kostot e operacionit dhe rehabilitimit ishte kolosale, por Luftëtari nuk pagoi asgjë. Jo vetëm kaq, por edhe në aspektin njerëzor më befasuan, askush nuk më telefonoi të pyeste të paktën si isha, si shkoi operacioni”.

ABSURDITETI – “Më vonë, kur u shërova dhe isha gati të luaja, klubi më komunikoi se nuk do të paguhesha fare deri në momentin që do të luaja. Diçka absurde, sepse unë u dëmtova duke qenë pjesë e Luftëtarit dhe në çdo klub profesionist parashikohen dhe ndodhin gjëra të tilla, nuk është e mundur që të braktiset kështu një njeri”.

ZGJIDHJA E KONTRATËS – “Shkova në Federatën Shqiptare dhe zgjidha kontratën me klubin. Nuk dua të mendoj më për atë histori, ishte një makth. A do të kthehem më në Shqipëri? Jo, nuk kam më kohë që të merrem me eksperimente”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *