Meksika në festë, mbaron Botërori i Koresë së Jugut

Triumfi i dytë rresht, sërish lojë bindëse, sërish gola, Meksika vijon të fluturojë.

Fitorja ndaj Gjermanisë nuk ishte rastësi, sepse meksikanët u konfirmuan edhe sot si një ndër ekipet më në formë në Botëror.

Vela në pjesën e parë shënoi nga pika e bardhë, me Korenë e Jugut që nuk bëri asgjë në sulm.

Me pjesën e dytë ndeshja u hap totalisht dhe rastet ishin pa fund, por Çiçarito Hernandez nuk fali në kundërsulm dhe fundosi aziatikët, që vetëm në shtesë gjetëm një gol pa vlerë. Gjithsesi, Meksika nuk feston dot ende, nëse fiton Gjermania.

KOREA J. – MEKSIKË 1-2

Shënues: Son 90’+3 / Karlos Vela 26′ pen., Çiçarito 66′

90’+3 GOL KOREA E JUGUT! Çfarë goli nga Son! Predhë nga distanca, gol mjaft i bukur, por shumë vonë.

66′ GOL MEKSIKA! Kundërsulm perfekt i Meksikës, nisur nga një ndërhyrje që u mendua faull nga koreano-jugorët. Asist nga Lozano, ai që ndëshkoi Gjermaninë, në zonë Çiçarito Hernandez nuk mund të falte, 2-0. Goli numër 50 në 104 ndeshje me kombëtaren, si askush në historinë e El Tri.

56′ Tenton Ki, Oçoa pret në dy kohë. Ndeshje me ritëm të çmendur tani.

55′ Është hapur totalisht ndeshja, të dyja skuadrat në sulme e kundërsulme. Korea e Jugut tashmë nuk ka ç’të humbasë më.

50′ Tenton sërish Meksika, këtë radhë Lozano, por mbi traversë.

PUSHIMI I NDESHJES – Ashtu si pritej, Meksika ka qenë superior ndaj Koresë së Jugut deri tani. Në fakt nuk ishte një ndeshje spektakolare dhe rastet ishin me pikatore, por arbitri serb Maziç vendosi për penallti në minutën e 26-të, kur një kros u ndal me dorë nga koreano-jugori Jang. Vela nuk gaboi dhe Meksika me meritë në avantazh, sepse deri tani ka luajtur më mirë dhe ka krijuar më shumë raste, ndërsa Korea e Jugut është identike si ndaj Suedisë, me sulm shumë të dobët.

39′ Son në kundërsulm, ka hapësirë pa fund, por e zgjat më shumë sesa duhet topin. Portieri meksikan Oçoa del mjaft saktë dhe largon topin në goditje nga këndi.

28′ Sërish Meksika pranë golit. Lajun pasim në qendër, Vela gjuan fort, por paksa mbi traversë! Rast i artë, një penallti në lëvizje.

26′ GOL MEKSIKA! Karlos Vela, i qetë nga pika e bardhë, nuk fal. Meksika në avantazh!

24′ PENALLTI PËR MEKSIKËN! E 14-ta në këtë Botëror! Guardado drejt zonës, kros i ndalur me dorë nga Jang! Në fakt, mbrojtësi koreano-jugor ishte në tokë, në rrëshqitje, ndërsa topi u ndal te dora e tij dhe dukej qartë që nuk ishte prekje e vullnetshme, por arbitri është i prerë!

22′ Më në fund Korea e Jugut del në sulm. Son tenton tre herë rresht dhe dy goditje ndalen nga mbrojtësit meksikanë, ndërsa e treta del jashtë.

15′ Nis të rritet ritmi i lojës. Meksika ka frerët e lojës, Korea e Jugut pret në kundërsulm.

5′ Fillim i ngadaltë, shumë gabime deri tani.

1′ NIS NDESHJA

Në ndeshjen e parë të grupit F sot, Meksika duhet të tregojë kundër Koresë së Jugut se suksesi ndaj Gjermanisë nuk ishte rastësi.

Paraqitja e meksikanëve ishte mbresëlënëse dhe tashmë krejt papritur janë ata favoritët për të fituar grupin, por Korea e Jugut luan shansin e fundit, pas humbjes ndaj Suedisë.

Aziatikët konfirmuan se kanë shumë probleme në fazën sulmuese dhe në teori duket një ndeshje që nuk premton shumë gola, ashtu si dy ndeshjet e luajtura deri tani në grup, por nëse Meksika do të ketë sërish hapësirat që pati ndaj Gjermanisë, zor se do të gabojë aq shumë si javën e shkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *