Mediat kroate pa mëshirë, 9369 tifozë ndoqën “torturën” e Dinamos

Dinamo e Zagrebit barazoi në fund me Skënderbeun dhe futbollistët e skuadrës kroate festuan gjatë, pasi po shkonin drejt humbjes. Gjithsesi, veç rezultatit, që konsiderohet negativ, edhe loja ka marrë nota negative, me mediat kroate që e cilësojnë torturë të ndjekësh në 30 gradë celsius një ndeshje të tillë. Vetëm 25% e kapacitetit të stadiumit ishte e mbushur, pasi në “Maksimir” ishin vetëm 9369 tifozë që ndoqën “torturën” e skuadrës së tyre, siç shkruhej në sitet kroate pas sfidës.

Me një ndershmëri për t’u admiruar, gazetarët kroatë u ndalën gjatë te gafat e arbitrimit, që i mohoi fitoren Skënderbeut. Tone kritike ndaj Dinamos dhe sondazh për golin e anuluar Skënderbeut: shumica e tifozëve mendonin se Skënderbeu u dënua nga anësori.

Henrikuez: E meritonim të shënonim
Anxhelo Henrikuez ishte heroi për Dinamon e Zagrebit, duke realizuar golin e barazimit, që shmangu humbjen e kroatëve. Në deklaratën e tij të dhënë për mediat pas ndeshjes, 23-vjeçari kilian, është shprehur se e meritonin të shënonin dhe se ishte shumë e rëndësishme të mos dilnin të mposhtur. “Ne kemi luajtur shumë keq në pjesën e parë. Humbëm shumë raste dhe besoj se portieri mrekullisht ma hoqi një gol. Unë nuk kisha fat, por u kompensua më pas. Natyrisht do të ishte më mirë nëse do të kishim fituar, por ishte e domosdoshme të shmangnim humbjen. E merituam golin e shënuar”, u shpreh sulmuesi i Dinamos së Zagrebit.

Rikthime të rëndësishme te Dinamo
Në ndeshjen e djeshme Dinamo e Zagrebit kishte dy mungesa të rëndësishme. Njëri prej tyre ishte Sudani, sulmuesi algjerian që është edhe udhëheqësi i ekipit. Dje ai mungoi për shkak dëmtimi, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Elbasan ai do të jetë i gatshëm për lojë. Gjithashtu do të rikthehet edhe talenti spanjoll Daniel Olmo Karvajal. Ai ishte i pezulluar me karton të kuq, ndaj nuk zbriti në fushë ndaj korçarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *