Media prestigjoze mbetet e habitur, ish-lojtari i Italisë për Kumbullën: Ngjan me Kielinin e fillimit

Marash Kumbulla vazhdon të bëj jehonë në Itali edhe kur futbolli është i ndalur. Këtë herë një vlerësim i madh vjen nga ana e ish-lojtarit të Italisë, Federiko Balzareti. Nuk ka nevojë për shumë prezantim pasi të gjithë tifozët shqiptarë e njohin, teksa ka luajtur për ekipe si Juventus dhe Roma.

Kumbulla deklaroi në ditën e djeshme se ka idhull Kielinin, madje duke mbajtur edhe posterat e tij në dhomë. Ndërkohë Balzareti bën një krahasim ngjashmërie mes tyre, duke surprizuar edhe vetë median prestigjoze “Goal”.

“Në periudhën e fundit, formohen mbrojtës të cilët janë të mirë në ndërtimin e parë, por kanë boshllëqe në fazën mbrojtëse. Kumbulla, nga ana tjetër, është një mbrojtës tipik. Gjëja e parë që ai mendon është të kryejë detyrat primare që ka dhe pa u hedhur në aventurë. Edhe për karakteristikat fizike që ka, më kujton Kielinin në fillim”, u shpreh Balzareti.

Ndërkohë media “Goal” shkruan se ky ishte një krahasim i tepruar disi i Balzaretit dhe shumë i rëndë për shpatullat e një djaloshi që duhet të tregojë akoma më tepër. /Sport Ekspres/