Me tortën në dorë dhe me fjalë zemre, Reja u drejtohet lojtarëve: Dua dhuratën nesër!

Ambienti te Kombëtarja është më pozitiv se kurrë më parë. Ndoshta që në periudhën e De Biazit nuk ishte e parë kaq e ngrohtë atmosfera te kuqezinjtë. Trajneri dhe lojtarët janë bërë një trup i vetëm, ndërsa nesër do të provojnë forcën ndaj Turqisë.

Dita e sotme ishte paksa më e veçantë për vetë teknikun Reja, që festonte ditëlindjen. Teksa iu bë një surprizë me tortë, është ndalur në një moment për t’i thënë disa fjalë zemre të gjithë lojtarëve, duke ua kërkuar dhuratën për ditën e nesërme.

“Sekreti kush është? Është që unë jam gjithmonë i ri, pasi jam i tillë në kokë. Me Islandën keni dhënë një emocion shumë të madh. Kjo sepse keni besuar te vetja juaj dhe unë kam marrë shumë nga ju. Dhe nesër dua edhe një dhuratë të vogël nëse është e mundur. Nuk e them për mua, por për ju, që të kemi emocione të mëdha. Nuk mund të themi se jemi në maksimumin tonë, pasi duhet të përmirësohemi edhe në disa aspekte, por jemi në rrugën e duhur. Duhet të ketë emocione për të gjithë dhe sigurisht për mua se kam datëlindjen”, iu drejtua Reja lojtarëve. /Sport Ekspres/