Më tepër se 5 orë pa gol: Lopetegui gabon, por Realit i mungon CR7

Plot 5 orë e 19 minuta pa shënuar një gol. Kjo është statistika negative e Realit të Madridit me Lopeteguin në stol. Rrjeta e fundit e realizuar është ajo e minutës së 41-të të ndeshjes së fituar ndaj Espanjolit më 22 shtatorin e kaluar (shënoi Asensio). Më pas humbja turpëruese 3-0 ndaj Sevijas, barazimi pa gola në derbi me Atletikon e Madridit dhe së fundmi humbja e pabesueshme në fushën e CSKA-së së Moskës në Champions League.

Dy humbjet e pësuara në tre ndeshjet e fundit dhe sterilitetin në fazën ofensive, e kanë vendosur trajnerin në bankën e të akuzuarve. Pavarësisht mungesave të katër yjeve në ndeshjen në Moskë, nga Marselo te Sergio Ramos, për të vijuar me Isko dhe garet Bejl, apo tre shtyllave të goditura, fatura i mbetet drejtuesit të stolit.

Për të gjetur tre ndeshje me radhë pa shënuar, te “Los Blancos” duhet të kthehesh në kohë deri në vitin 2007, kur në stol ishte Fabio Kapelo. Por, ato që nuk kanë bindur janë disa zgjedhje të Lopeteguit, mes të cilave edhe lënia në stol për afro një orë e Luka Modric. Në situatën e krijuar, te Reali po ndihet edhe mungesa e yllit të madh, e lojtarit të larguar gjatë verës.

Në këto momente, më tepër se asnjëherë tjetër, mund të flitet për shitjen e Kristiano Ronaldos, golashënuesit më të mirë në gjashtë edicionet e fundit të Champions League dhe që një vit më parë shënoi në të gjashtë ndeshjet e grupeve. Nëse në fillim të sezonit dukej sikur mungesa e portugezit nuk ndihej, tashmë situata ka ndryshuar.

Kejlor Navas dhe Naço Fernandez folën hapur: “Është e qartë që Kristiano na mësoi me një rendiment shumë të lartë. Nuk mund ta fshehim diellin pas gishtit. Por, ai u largua dhe tashmë duhet të ecim përpara”, tha portieri. Zgjedhjet e gabuara teknike dhe momenti i pafatë, kanë bërë që tani më tepër se asnjëherë tjetër, Reali ta ndjejë mungesën e CR7.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *