Më të mirët e Duros, shumë “dema” dhe… asnjë sulmues

0

Gara në Superiore u mbyll dhe Partizani u shpall kampion, ndërkohë që janë të shumtë lojtarët që kanë spikatur. Shpëtim Duro, trajneri i njohur i kampionatit tonë, i cili ka drejtuar edhe Dritën e Shkëndijën e Tetovës në Kosova e Maqedoni, ka ndarë me Sport Ekspres formacionin më të mirë të sezonit 2018-19. Shumë lojtarë të kuq dhe një surprizë: Valdet Rama.

PORTIER – Shpëtim Duro nuk ka dyshime për portierin më të mirë të këtij sezoni dhe ai është “gardiani” i Partizanit, Alban Hoxha. Trajneri i njohur deklaron: “Nuk ka asnjë dyshim, Alban Hoxha është portieri më i mirë i këtij sezoni në Superiore. Kapiten në portë dhe në gjithë fushën”.

MBROJTJA – Edhe pse ka pasur shpesh kritika për të, më së shumti të drejtuara drejt trajnerit Skënder Gega për aktivizimin, Partizani kampion doli me Labinot Ibrahimin si mbrojtës i djathtë. Duro e vlerëson atë: “Një mbrojtës shumë energjik dhe me karakteristika sulmuesi, i sigurt dhe vendimtar në çdo dyluftim”. Në krahun tjetër është një tjetër i kuq, Lorenc Trashi: “Tregoi nivel të lartë si një mbrojtës i saktë dhe me karakteristika sulmuese. I shpejtë dhe i sigurt me kundërshtarin”.

Në qendër është përfshirë edhe Egzon Belica, një nga shtyllat e prapavijës së “demave”. “Për Partizanin ka qenë ‘arma’ më e fortë në mbrojtje, i pakalueshëm, i sigurt dhe pozicional me çdo kundërshtar”. Krah tij Duro ka përzgjedhur Ardian Cuculin, edhe ky një ish i Partizanit: “Jo vetëm një mbrojtës i fortë, por edhe i shpejtë dhe energjik në ndërtimin e aksioneve nga mbrojtja në sulm”.

MESFUSHA DHE SULMI– Padyshim gjithçka nis nga ushtar Telushi, për të cilin Duro thotë: “Një mesfushor lider, në krahë dhe në qendër. Ka qenë një vlerë e shtuar e Partizanit në këtë sezon”. Katërshja para tij, pasi moduli i përzgjedhur është 4-1-4-1, është gjithashtu e kuqe. Ai veçon Idriz Bathën e  Flamurtarit: “E vlerësoj për forcën e qëndrueshmërinë në fushë, mesfushor që alternoi mirë në fushë mbrojtjen me sulmin”.

Në qendër ka vend edhe për Esat Malën: “Tregoi nivelin e një mesfushori me karakteristika të mira organizuese, me lëvizshmëri të lartë dhe një sulmues i rrezikshëm”. Krahët janë të frikshëm, me Jasir Asanin dhe Jurgen Bardhin. Për të parin Duro thotë: “Ka qenë një nga më të mirët e këtij reparti te Partizani. Një ‘xhol’ në organizim e shënim, i aftë edhe si sulmues”. Për Bardhin shton: “Është një mesfushor-sulmues i talentuar, me teknikë të lartë në përdorimin e topit, shënues nga çdo pozicion”.

Surpriza e Shpëtim Duros është sulmi, teksa ai nuk ka përfshirë as Rexhinaldon, as Shkurtajn. Valdet Rama, shoku i tyre te Kukësi, sipas tij tregoi shumë klas. “Erdhi në një formë jo të mirë, por tregoi shumë klas. Një nga sulmuesit më të mirë në gjithë Superioren”, është shprehur trajneri kryeqytetas.

TRAJNERI – Këtë sezon ka pasur shumë vlerësime për Ilir Dajën, Bledar Devollin dhe Julian Ahmatajn, por kampioni është Skënder Gega. Duro nuk ka dyshime që ai është trajneri i sezonit, pasi bëri një arritje të madhe me Partizanin, duke kthyer titullin në shtëpinë e kuqë pas 26 vitesh. “Jo vetëm se është trajneri kampion, por Skënder Gega tregoi vlerat e një menaxheri shumë të mirë në skuadër”, përfundon Duro.

AGRON KAJA 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.