Më shumë se 3 pikë, Rroca për Tiranën: Tani do ta kuptojmë se ku janë kundërshtarët

Ndeshja e radhës e Kukësit në Superiore është e një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh se kundërshtar do të kenë ekipin me formën më të mirë të momentit si dhe një kundërshtar direkt për titullin kampion, siç është Tirana.

Nivelin e kundërshatrit e pranon edhe mesfushori i verilindorëve, Rroca, që thekson se ndeshja do të jetë e vështirë, duke parë edhe merkaton dhe lojën që kanë bërë bardheblutë. Sa i përket humbjes në Ballsh javën e shkuar, futbollisti thotë se kjo humbje nuk është aspak dramatike, për arsye se është ende fllimi i kampionatit, por nëse vazhdojnë të dominojnë kundërshtarët, fitoret nuk do të vonojnë.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, më e forta e kësaj jave. Tirana ka bërë shumë mirë, edhe në merkato, por mbetet për t’u parë. Në përfundim të kësaj ndeshjeje do të kuptojmë se ku janë kundërshtarët tanë. Nuk duhet ta dramatizojmë këtë humbje, është vetëm fillimi i kampionatit. Kemi rrugë të gjatë përpara, nuk duhet të merremi me diferenca të vogla. Ndaj çdo kundërshtari kemi qenë dominues, nëse vijojmë kështu do të vijnë fitoret”, është shprehur Rroca për “Supersport”./Sport Ekspres/