Me shishe apo pa shishe? Lika e kalon me humor për Partizanin: Isha skeptik për skemën e trajnerit

Vllaznia po arrin rezultate shumë të mira në këtë kampionat dhe sidomos javët e fundit të Superiores, duke qenë një nga katër ekipet që po kryesojnë aktualisht. Ajo fitore në transfertë ndaj Kukësit me rezultatin 1-2 i ka rritur edhe më shumë optimizmin kësaj skuadre, pasi verilindorët janë pretendentët kryesorë për titullin.

Një nga lojtarët më të mirë përgjatë kësaj kohe është padyshim Gilman Lika te shkodranët, për të mos thënë më i miri. Në një intervistë për “Zona Gol”, futbollisti është shprehur:

“Kukësi është një nga kampionatet më të mira. Meritë ka trajneri për skemën 3-5-2 që përdori. Të them të drejtën isha pak skeptik me këtë mënyrë loje, për të shfrytëzuar sa më mirë kundërsulmin. Nodhi fiks ajo që e kishte parashikuar vetë trajneri. Nuk isha optimist për këtë skemë, pasi nuk e kishim praktikuar shumë në stërvitje. Por Jonuz ishte i bindur.

Partizani dhe Vllaznia janë dy emra të mëdhenj në kampionatin shqiptar. Me fitoren ndaj Kukësit kemi bërë arritje të madhe për të kthyer tifozët dhe ndaj Partizanit do të kemi ambient të mirë. Kam shumë vite që nuk kam parë me një ngjeshje të tillë kampionati, ku me dy humbje shkon poshtë në renditje. Për mua ishte gjetje ideale që morrëm trajner të huaj, për paragjykimet që ka në Shqipëri”.

Kur pyetet në lidhje me ndeshjen e radhës që do të jetë ndaj Partizanit dhe ngacmohet paksa për atë që ndodhi me Tiranën, pasi stadiumi pritet të jetë i tejmbushur pas kësaj fitore të sotme, Lika e kalon me buzëqeshje: “Besoj se tani dhe mbrapa janë marrë masat dhe nuk do të kemi më shishe në fushë”. /Sport Ekspres/