Më në fund, një model !

0

Nga Fatjon RUPI

 

Skënderbeu ka shënuar tri arritje historike këtë verë, duke u bërë skuadra e parë shqiptare që fiton 5 tituj kampion radhazi, skuadra e parë shqiptare që shkon deri në fazën e “play-off-it në Ligën e Kampionëve dhe skuadra e parë shqiptare, që shkon deri në fazën me grupe të një kompeticioni evropian, Europa League.

Mbrëmë ka mbyllur llogaritë me Championsin, pasi është mundur në të dyja ndeshjet nga Dinamoja e Zagrebit. Natyrisht, nuk mund të bënte më shumë përballë gjigantëve kroatë. Në momentin kur u hodh shorti, kishte besim për diçka të bukur, madje ndokush besonte edhe për kualifikim, por, nga ajo që u pa në fushë, vetëm me një oportunizëm ekstrem kampionët tanë mund ta bënin diçka të tillë. Skënderbeu është eliminuar nga Championsi, por nuk ka asnjë pishman, asnjë peng.

Ishte maksimumi i mundësive. Për një herë të vetme korçarët kanë bërë që gjithë sportdashësit në Shqipëri të bëjnë tifo për ta, pavarësisht se në kampionat janë tifozë të skuadrave të ndryshme. Skënderbeu u ka falur emocione këtë verë me 3 fitoret që ka arritur në Champions, por edhe me nivelin e lartë të lojës. Edhe ndaj Dinamos së Zagrebit ka shënuar në të dyja ndeshjet dhe ka pasur fragmente shumë të bukura në lojë.

Por Skënderbeu ka edhe një arritje tjetër të madhe, që ndoshta nuk mund të regjistrohet në asnjë libër, por që është një fakt i pamohueshëm. Eshtë bërë modeli i një klubi të suksesshëm dhe të gjithë mund ta kopjojnë, nëse duan. Ishte kjo që na mungonte shumë këto vite.

Pra, më në fund kemi një model për të ecur përpara, ashtu siç kanë bërë korçarët në këto vite të fundit, me në krye presidentin Ardjan Takaj. Ky klub ka një të ardhme të sigurt, sepse tashmë ia ka shtruar rrugën vetes dhe gjithmonë do të ketë kërkesa në rritje. Vit pas viti. Eshtë shembulli më i mirë i marrëdhënieve president-lojtarë, president-trajner dhe trajner-lojtarë. Patjetër, edhe i tifozëve. Suksesi në fushë i ka mbushur arkën dhe tashmë ia lejon vetes të blejë edhe lojtarë që kushtojnë 150 mijë euro në sezon apo më shumë. Ky pra është modeli, që duhet ndjekur.

Ia ka dalë Skënderbeu të triumfojë mbi manovrat e shtrembra, që kemi parë sistematikisht vitet e fundit në futbollin tonë për të bërë sukses (financiar). Ky është modeli, që do t’u shërbejë edhe skuadrave të tjera shqiptare, që një ditë, pse jo shumë shpejt, ta shohin veten dhe ato të impenjuara në një kompeticion evropian deri më 10 dhjetor dhe jo ta mbyllin gjithçka në korrik apo maksimumi në gusht. Ndërsa Skënderbeu, pa dyshim që do të jetë në kërkim të një modeli të ri, sepse tashmë e ka provuar shijen e ëmbël të sukseseve të vërteta.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here