Dy vite pa asnjë lek, “Nuk luhej më futboll, te Vllaznia futesh me armë e para”

Ambroz Kapaklija, ish-futbollisti i Vllaznisë ka shpërthyer në akuza ndaj drejtuesve të skuadrës shkodrane. Në adresën e tij në Facebook ai ka rrëfyer gjatë dhe me çiltërsi gjithçka që i ka ndodhur në karrierën e tij te kjo skuadër, madje nuk ka ngurruar që të sjellë edhe emra konktretë, të cilët i quan edhe si shkatërruesit e karrierës. Duke e lexuar këtë “rrefim” të tij, ndoshta duhet pritur edhe një reagim nga klubi i Vllaznisë, sepse aty janë drejtuar akuzat e Kapaklisë.

“Dua të tregoj pak për rrugëtimin tim te klubi futbollit VLLAZNIA, shpresoj ta lexoni deri në fund, ja vlen! Gjithçka nisi nga mosha 17-vjeçare, ku u bëra për herë të parë pjesë e Vllaznisë. Trajner ishte Agim Canaj. Ishin disa ndeshje në Kupë që u aktivizova aty dhe u dashurova me atë fanellë, pasi ishte ëndrra ime.

Duke u stërvitur shumë, duke qenë i disiplinuar dhe duke mos shkelur asnjë rregull të klubit, vit pas viti erdha në rritje dhe po përmirësohesha. Dy vitet e para aty ishin të mrekullueshme, më të bukurat e karrierës time me trajnerë Armir Grimën, Luan Zmijanin dhe Armando Cungun, të cilët më dhanë edhe besim për të ecur përpara.

Për t’u ndalur në dy vitet e fundit, ku klubi bën disa ndryshime dhe largohen shumë njerëz që e njohin mirë futbollin dhe vijnë disa “tregtarë”. Për klubin Vllaznia aty nis edhe shkatërrimi i tij dhe djegia e shumë talenteve të rinj, shokët e mi që sot furnizojnë Shqipërinë. Një nga këta tregtarë ishte zoti Astrit Gjyrezi  (pronari i Vodafonit), ku me ardhjen e tij shfaqen dhe shumë të tjerë si puna e tij, servila, hajdutë dhe gazetarë aty, që vetëm hundën kanë simbol!

Më ndodh dëmtimi i parë, këputja e LCA. Pas shumë vuajtjesh klubi vendos të më ndihmojë me operim. Pas 6 muajsh u ktheva përsëri më i fortë se kurrë nga dëmtimi dhe vazhdova të luaja disa muaj. Erdha në formën e duhur dhe gjithçka po shkonte mirë, ndodh që fatkeqësisht të njëjtën këmbe ta dëmtoj përsëri në të njëjtin vend dhe duhej një ndërhyrje e dytë.

Klubit as që i interesonte problemi im, nuk donte t’ia dinte për asgjë. Pas shumë përpjekjesh me ata të siguracionit SIGAL, arrita të shkoj në Itali dhe të operohem përsëri dhe unë paguaj 30% të operacionit, paguaj terapinë 1 muaj, të gjitha nga forcat e mia, pa e llogaritur që kisha 1 vit pa u paguar nga klubi asnjë qindarkë (nuk ka klub në botë që e bënë këtë gjë). Arrita të kthehesha përsëri dhe nuk u dorëzova, pasi i dija forcat e mia dhe e dija se sa mund të arrij. Shkova në 100% tim përsëri .

Për të dalë tek viti i fundit, ku aty çdo gjë mori fund. Nuk luhej më futboll, kishte nga ata që hynin me para, kishte nga ato që bënin presion me armë, nëse nuk ishe i fort, nuk kishe mik ose para, aty ishe zero. Ekipi ishte i ndarë në grupe ishin 5 ose 6 veta aty të cilët vendosnin dhe ndihmonin kush do luaj e kush nuk do luajë. Ka shumë djem që e vuajnë këtë gjë aty, sepse në vend që te futet ai që jep maksimumin, futet ai që ka babin, mamin, tezen e fortë. Siç e shihni, HEPAJ, HAKAJ, FANGAJ, VECAJ, ÇINARI, PJESHKA, KALAJA RUQI etj, pasi janë parë pa fund, të gjithë janë titullarë në ekipet e tyre. ndërsa tek Vllaznia nuk bënin. Nuk bënin sepse ka korrupsion, ka servilizëm, ka inate, ka racizëm e çdo gjë që s’duhet t’i ketë një ekip si VLLAZNIA.

Kam qëndruar dy vitet e fundit pa marrë asnjë rrogë të vetme dhe nuk kemi bërë zë. Kam shkuar dhe jam ankuar tek Astrit Gjyrezi. Fjalët e tij ishin si çdo herë: “muajin tjetër i keni lekët, vetëm mos na përzieni me gazetaret”. Por ai e dinte mirë që edhe gazetarët ishin në krahun e tij (jo të gjithë). Marr shembull njëfarë Gjergj Kola, servil i tmerrshëm, mashtrues dhe gjithçka tjetër!

Nëse e doni Vllazninë, mos e lini në dorë të bandave dhe hajnave. Uroj me zemër që Vllaznia të shkojë aty ku e ka vendin, por me këta që ka në krye s’do të arrij kurrë aty ku duhet. Unë nuk jam më pjesë e Vllaznisë, jo që sot, por ka disa muaj. Për momentin jam në Itali, jam shumë mirë dhe dëgjohemi së shpejti. Me respekt, Ambroz Kapaklija. Forca Vllaznia”, shkruan Kapaklija.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *