“Më kërkuan ‘big’-ët, ja pse firmosa me Laçin”

0

Flet Cetkoviç: Kisha një obligim moral ndaj Laçit, sepse presidenti Laska ka qenë ekstremisht korrekt, jo vetëm në anën financiare, por për gjithçka

 

Sulmuesi i Laçit, Marko Cetkoviç, një nga zbulimet më interesante sezonit që sapo u mbyll në Superligë, ka vendosur të rinovojë me Laçin. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, asi i kurbinasve rrëfen aventurën e tij shqiptare dhe ofertat e shumta që mori nga të mëdha e Superligës. Gjithashtu, Cetkoviç zbulon edhe arsyet që e çian të vendoste qëndrimin në Laç edhe për sezonin e ri.

 

– Cetkovic, ju erdhët në Shqipëri dhe pas një sezoni vendosët të qëndroni përsëri. Përse ky vendim?

– Zhvillova një sezon të mirë në Shqipëri. Si në aspektin individual ashtu edhe në aspektin e skuadrës. Ne fituam Kupën e Shqipërisë por mbi të gjitha zhvilluam një kampionat të fortë dhe të bukur. Vendosa të pres fundin e sezonit që të nënshkruaja një kontratë të re me ekipin e Laçit.

– Keni pasur oferta të tjera nga Shqipëria?

– Të gjithë skuadrat që u renditën mbi ne kanë kërkuar shërbimin tim, por unë kisha një obligim moral t’i jepja Laçit një avantazh në bisedim, sepse presidenti Laska ka qenë ekstremisht korrekt gjatë gjithë sezonit, dhe kur them kështu jo vetëm në anën financiare por për gjithçka.

– Përse vendosët të qëndronit në Laç?

– Përpos arsyes madhore që e thashë edhe më lart, personalisht unë e pëlqej mënyrën e trajnimit që bën trajneri Cungu dhe mënyrën se si ai na drejton në fushë. Gjithashtu edhe lojtarët shqiptare më kanë pranuar shumë mirë brenda grupit edhe pse kam më pak se një vit në ekip. Të gjithë ma kanë bërë punën më të lehtë.

– Kalojmë pak tek Partizani Beogradit. Na tregoni për emocionet e përjetuara në Champions ndaj Realit të Madridit…

– Ndeshja ndaj Realit ishte një eksperiencë e paharrueshme. Pak njerëz në Ballkan e kanë atë mundësi dhe në fund të karrierës do të kem një histori për të treguar (qesh).

– Gjatë kohës në Laç, keni biseduar me xhaxhain tuaj? Çfarë di ai për Laçin dhe Shqipërinë?

– Xhaxhai im është një emër shumë i madh. Në fakt ai di vetëm gjëra që i tregoj unë dhe për fat të mirë unë i flas vetëm për gjëra pozitive gjatë eksperiencës time në Shqipëri. I vjen mirë për fjalët e mia.

– Çfarë përshtypje ju la largimi i Buljan?

– Buki ishte një kapiten brenda dhe jashtë fushës. Një lider në çdo aspekt. Ai më priti shumë mirë në skuadër dhe gjithmonë më ka ndihmuar në çdo situatë dhe unë kurrë nuk do harroj ndihmën e tij. Humbën një lojtar dhe një djalë të madh, por do të shohim përpara. Do doja të qëndronte edhe të paktën një vit në skuadër.

– Kush është objektivi për sezonin e ardhshëm?

– Kam biseduar me presidentin dhe kemi bërë një pakt. Luftojmë për titull sezonin e ardhëm. Ai ka premtuar që do ta ruajë grupin dhe do të ndërrojë një skuadër akoma më të fortë për sezonin e ardhshëm. Dëshira e tij tani është një titull kampion dhe unë besoj që do ta realizojmë këtë synim.

– Keni mësuar shqip?

– Po sigurisht, kam mëshuar shumë në dhjetë muaj. Gjithashtu kam mësuar edhe gjuhën polake kur luaja në Poloni edhe pse duhet ta them është më e lehtë se shqipja.

– Na trego një sekret rreth skemës në finale…

– Ne e kemi provuar atë skemë gjatë gjithë sezoni, në ndeshje dhe stërvitje dhe ishte shumë e vështirë për ta realizuar sepse topi duhet të depërtojë 5-6 lojtarë dhe duhet pak fat që të shkojë deri tek Xhejms. Mirëpo, në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit e realizuam dhe për këtë jam shumë i lumtur.

– Si është marrëdhënia me presidentin dhe trajnerin?

– Presidenti është prezent çdo ditë në stërvitje dhe ai e di me përpikëri se çfarë ndodh çdo ditë në skuadër. Ai e bën detyrën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është arsyeja përse skuadra arrin suksese.

– Për ta mbyllur, po marrëdhënia me tifozët?

– Tifozët janë një mbështetje e madhe për ne gjatë gjithë sezonit. Në finale luajtëm me 12 futbollistë në fushë, pasi i 12-ti ishin ata. Gjej rastin t’i falënderoj dhe shpresoj të vazhdojnë të na përkrahin maksimalisht.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.