“Më kanë befasuar Tirana e Flamurtari, ky viti i duhur për Partizanin!”

Shpëtim Duro pranoi të drejtonte kampionët në fuqi të Kosovës, që e nisën jo mirë sezonin. Sikurse edhe tregon vetë ai, në fillim kishte dyshimet e tij. Gjithsesi e mori përsipër ta drejtonte Dritën, që tashme kërkon Digitalb Kupën e Kosovës.

“E kisha me mëdyshje marrjen e Dritës në ato momente. Ishte moment i vështirë, kishte shumë diferencë me kryesuesit dhe kishte fituar titullin një vit më parë. Deri në këto momente jam pjesërisht i kënaqur. Fituam shumë ndeshje fillimisht, por rivalët nuk ndaluan. Jemi jashtë luftës për titull, por jemi në garë për Kupën dhe jemi të përqendruar tek ai trofe”, është shprehur fillimisht Duro për “Supersport”.

DIFERENCAT – Tekniku kryeqytetas bën edhe një krahasim mes kampionatit tonë dhe atij dardan. “Kosova tani vonë luan në Europë. Nuk krahasohet me nivelin e infrastrukturës me Shqipërinë. Është pozitive që ndeshjet transmetohen. Ka shumë futbollistë dhe e them me bindje se do ecin shumë në aspektin e rezultateve”.

SUPERIORJA – “Them që është një kampionat jo shumë cilësor, por ka konkurrencë dhe ekuilibër. I kam ndjekur ndeshjet, patjetër më me kuriozitet ndjek Partizanin. Është vitit i duhur për të fituar titullin kampion. Flamurtari? Prisja shumë më shumë nga vlonjatët, pasi 60-70% janë ekipi i vjetshëm. Shto këtu edhe afrimet e bëra. Kam menduar se do ishin një nga pretendentët për titull dhe jë të renditeshin në vendin e gjashtë”.

“Bardheblutë? Çuditem si Tirana është në këtë situatë. Nuk mjafton vetëm cilësia e lojtarëve, por duhet disiplinë. Duhet të ishin në tre skuadrat e para me grupin që ka. Këtë e them me mjaft përgjegjësi profesionale”.

RIKTHIMI NË SHQIPËRI – “Jam trajner, që sigurisht kisha oferta edhe para se të ikja te Drita. Duhet të isha i kujdesshëm. Nëse do ketë oferta të mira, me pretendime, brenda gjithë rregullave kontraktuale, do të pranoja”.

KONFIRMIMI I PANUÇIT – “Them që Duka e di shumë mirë. E kishte lehtë ta largonte. E ka menduar mirë dhe i ka dhënë një shans. Ndoshta ka bërë mirë, por duhet stabilizuar organika që do na përfaqësojë në eventin e ardhshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *