Me gjeste fashiste në shkallët e stadiumit, Lazio letër ultrasve: Shlyeni dëmin prej 50 mijë eurosh

Lazio është dënuar nga UEFA për gjestet fashiste që tifozët ultras të ekipit romak shfaqën gjatë ndeshjes kundër Rennes të vlefshme për Europa League që u zhvillua në 3 tetor të vitit të shkuar. Për këtë arsye vetë klubi i ka dërguar një letër ultrasve të tij, ku vjen me një propozim surprizues. Kështu Lazio kërkon nga tifozët që të gjejnë një mënyrë për të kompensuar vlerën e 50 mijë eurove për skuadrën e tyre.

“Prej videove të marra nga trupat e UEFA-s dhe investigimeve policore përkatëse, rezulton se ju e bëtë veten tuaj përgjegjës për sjelljen e dënuar që ka shkaktuar një dëm llogaritur në 50 mijë euro. Prandaj ju ftojmë që të kontaktoni shoqërinë për të rënë dakord për një mënyrë kompensimi”, shkruhet ndër të tjera në letrën me të cilën klubi i Lazios i është drejtuar tifozëve të vetë ultras./Sport Ekspres/