Me fatin dhe rastësinë përfundoi te Partizani, Solomon kërkohej nga Milan dhe Barcelona

“Solomon e kam ndjekur në fillimet e mia, e kam ndjekur në Beograd kur luante me Partizanin e Beogradit. E kemi kërkuar edhe vjet, por u bind dhe erdhi vetë kur pa se jemi një klub me potencial”, do të shprehej drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama.

Megjithëse ky sulmues ende nuk ka dhënë më të mirën nga vetja, mbart një potencial të jashtëzakonshëm. Në fakt, kur Solomoni ishte në moshën 17-vjeçare dhe luante te Rijeka në Kroaci, cilësohej edhe si “Kristiano Ronaldo nigerian”, për shkakun e ngjashmërisë të madhe në lojë.

Asokohe do të ishte Milani dhe Barcelona që do të interesoheshin për të, megjithëse karriera nuk shkoi siç duhet. Një numër i madh dëmtimesh prishën gjithë planet e këtij lojtari, që me pak fat mund të ishte edhe në Serinë A.

Menaxheri i tij në atë kohë, Jairo Pachon, nuk do e mbyllte marrëveshjen me Katanian kur luante në elitën e futbollit italian për vetëm disa mos marrëveshje të vogla. Nga atje do të vinte edhe firma me Partizanin e Beogradit. Sigurisht që insistimi i Olsi Ramës për këtë futbollist ia ka vlejtur, ndërsa pritet që me zhvillimin e kampionatit të vijë edhe një rritje e madhe në lojën e tij. /Sport Ekspres/