Me emra arab në fanellë, Juventusi humbet identitet në finalen e Superkupës së Coca-Colës

Juventusi do të luajë finalen e Supërkupës së Italisë, e quajtur tashmë Superkupa e Coca-Colës, ditën e dielë kundër Lacios. Ndeshja do të zhvillohet edhe këtë vit në Riad të Arabisë Saudite, për këtë arsye bardhezinjtë vijnë me një risi. Kështu Juventusi do të zbresë në fushën e lojës me fanella të reja, ku emrat e lojtarëve do të jenë të shkruajtur në gjuhën arabe. Fanellat e reja dhe të vlefshme vetëm për këtë ndeshje kanë dalë në shitje nga klubi italian dhe do të dorëzohen në një kuti special për tifozët, ndërsa krijimi i tyre ka ardhur në bashkëpunim me artistin Shaker Kashgari.

Giorgio Ricci, shefi i të ardhurave të Juventusit, ka thënë se nëpërmjet kësaj, klubi dëshiron të nderojë një mënyrë tradicionale të artit. Gjithashtu thekson se Juventusi do të jetë kështu më pranë tifozëve nga e gjithë bota.

“Nëpërmjet kësaj zgjedhjeje ne dëshirojmë të nderojmë një mënyrë tradicionale të artit. Me këtë, Juventusi dëshmon edhe njëherë të jetë pranë tifozëve të vetë nga e gjithë bota, duke i surprizuar me një fanellë të vetme, që gjithashtu konfirmon dëshirën për të eksploruar territore të reja. Bashkëpunimi me një artist të madh si Shaker Kashgari, e bën këtë takim të rëndësihëm edhe më tepër të veçant”, ka thënë Giorgio Ricci./Sport Ekspres/