Mbyllen “audicionet” e para, pesë në garë për stolin e Vllaznisë

Dhjetë ditë pas thirrjes në “facebook” për aplikime online për përzgjedhjen e trajnerit dhe drejtorit teknik, Vllaznia ka hedhur hapin e parë të vërtetë për riorganizimin e klubit dhe të skuadrës për sezonin e ri. Klubi njoftoi mbylljen e fazës së parë të “audicioneve”, duke publikuar edhe listën e vogël të kandidatëve për këto poste drejtuese.

Klubi njoftoi se “pas administrimit të kandidaturave të paraqitura, të cilat kanë qënë të konsiderueshme, serioze dhe nga brenda e jashtë Shqipërisë, KF Vllaznia sh.a. ka vendosur vijimin e procedurës së përzgjedhjes”. Në garën për stolin kuqeblu, janë zgjedhur pesë emra finalistë.

Duke nisur nga malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, i cili është një prej trajnerëve më të suksesshëm në Shkodër, për të vazhduar me ish-sulmuesin e skuadrës, Edi Martini. Në listë janë edhe ish-trajneri i Vllaznisë, italiani Baldo Ranieri, ish-tekniku i Luftëtarit, Hasan Lika, por edhe Ergin Firat. Turko-gjermani është padyshim kandidati me karrierën më të pasur dhe absolutisht të lakmueshme, me eksperienca të rëndësishme në Turqi, Gjermani por edhe në Iran.

Ergin Firat është gjithashtu kandidat edhe për postin e drejtorit sportive të Vllaznisë, aty ku si konkurrentë ka edhe Agim Canajn dhe Alban Nezirin. Klubi bëri të ditur se “përzgjedhja është bërë bazuar në CV-të e depozituara dhe në projektet e paraqitura nga secili kandidat”. Gjithashtu, Vllaznia njoftoi se “në ditët në vijim do të ketë sërish komunikim për ecurinë e procesit të përzgjedhjes së drejtorit sportiv dhe trajnerit”.

1. Kandidaturat për pozicionin e drejtorit sportiv

Agim Canaj

Alban Neziri

Ergin Firat

2. Kandidaturat për pozicionin e trajnerit

Baldo Raineri

Dervish Haxhiosmanoviç

Edi Martini

Ergin Firat

Hasan Lika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *