Çështjet e Kukësit/ Mbrojtja e lojtarëve, mungojnë kontratat

Enea Koliçi dhe Izair Emini janë dy nga lojtarët që dhe pse tentuan që të gjenin një gjuhë të përbashkët me Kukësin, tashmë janë kthyer në “armiq”. Kampionët i presin në stërvitje, ndërsa në krahun tjetër lojtarët nuk e pranojnë në asnjë mënyrë që në FSHF janë depozituar kontrata të reja, që i mbajnë të lidhur me verilindorët dhe për një sezon.

Të dy lojtarët janë në një proces gjyqësor dhe duan të hedhin dritë mbi të vërtetën e kontratave të tyre të reja. Kontratat janë depozituar në datën 20 korrik pranë FSHF-së, por të dy lojtarët në këtë periudhë ndodheshin jashtë territorit shqiptar. Klubi deklaroi se lojtarët duhet të paraqiten në stërvitje, madje i gjobiti për shkak se munguan në seancën e parë.

Situata duket e tensionuar, pasi asnjë nga palët nuk pranon negocim, kjo dhe për faktin se aktualisht presidenti Gjici është jashtë vendit me pushime, duke e lënë kështu çështjen e “ngrirë”, por jo për lojtarët. Shumë shpejt pritet që Emini, ashtu si Koliçi, të depozitojnë dokumentacionin e padisë ndaj Kukësit në FSHF, por këtu qëndron një problem. Lojtarët nuk e kanë një kopje të kontratës, çka e bën mjaft të ndërlikuar çështjen. Fakti që lojtarët janë të paqartë për situatën e bën akoma dhe më të vështirë, pasi nuk dinë në çfarë pistash të përqendrohen, megjithatë si “gardiani” ashtu dhe sulmuesi kanë paralajmëruar që nëse nuk gjejnë drejtësi në FSHF do të shkojnë në FIFA. Koliçi posedon pasaportë greke, çka e favorizon më shumë, megjithatë dhe Emini do të ndjekë të njëjtën procedurë.

Të dy futbollistët kërkuan që të gjenin një gjuhë të përbashkët, por tashmë duket se nuk ka më kthim pas. Edhe pse është një rast i përsëritur, kujtojmë këtu çështjen e Micit, ende nuk mund të ketë një formulë të saktë që vendos drejtësinë në këtë pikë. Kukësi ka një zyrë të fortë ligjore, pasi në 5 vitet e fundit nuk ka humbur asnjë gjyq dhe ky është një tjetër tregues se nuk do të jetë e thjeshtë për lojtarët që të marrin dokumentacionet nga Kukësi. Po ashtu, Kukësi asnjëherë nuk është përballur në FIFA më parë, ku atje është tjetër muzikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *