Mbret në Romë, por Naingolan mbetet jashtë Botërorit

Një sezon fantastik, prej lideri, gjithnjë në nivel të lartë te Roma, por nuk mjafton që Raxha Naingolan të shkojë në Kupën e Botës.

Sot trajneri i Belgjikës Roberto Martinez ka publikuar listën e 28 lojtarëve që do të përgatiten deri në qershor se bashku, para se të shpallet lista finale me 23 emrat që shkojnë në Botëror.

Naingolan nuk është grumbulluar, zgjedhje deri diku e pritshme, sepse mesfushori ka pasur gjithmonë probleme me trajnerin e Belgjikës, mbi të gjitha në aspektin e sjelljes, edhe pse Martinez e ka quajtur zgjedhjen e tij si “taktike”. Rebel nga natyra, duhanpirës, taktikisht i vështirë për t’i gjetur vend në formacion, të gjitha këto kanë çuar te vendimi i trajnerit spanjoll.

“Naingolan është lider të Roma, këtë rol nuk ua japim dot në Kombëtare. Mosgrumbullimi i tij vjen për arsye taktike, skuadra ka punuar në mënyrë specifike dy vitet e fundit dhe Naingolan nuk ka qenë pjesë konstante e grupit. Në rolin e tij kemi lojtarë të tjerë”, ka shpjeguar Martinez.

Në mesfushë titullarët janë Felaini dhe Uitsel, të dy të paprekshëm në vitet e fundit. Është grumbulluar edhe Adnan Januzaj, autor i një sezoni të mirë në Spanjë me Sociedadin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *