Mbledhje deri në orët e vona, Roma merr vendimin për Di Françeskon

0

Humbja në derbin përballë Lacios ka sjellë zemërim dhe zhgënjim të madh në kampin romanist. Bardhekaltrit dominuan ndeshjen dhe fituan me rezultatin e pastër 3-0, duke dërguar në ekstazë tifozët e tyre.

Drejtuesit e Romës kanë bërë një mbledhje të gjatë pas ndeshjes. Aty kanë marrë pjesë trajneri Di Françesko, zëvendëspresidenti Baldisoni, administratori i deleguar Fienga, drejtori sportiv Monçi me krahun e tij të djathtë Masarën dhe Françesko Toti.

Takimi ka zgjatur deri në orën 1 të natës. Eusebio Di Françesko është konfirmuar në stol dhe drejtuesit dëshirojnë t’i dhurojnë besim dhe qetësi trajnerit e ekipit përpara sfidës kundër Portos në Champions Ligë. Roma do të luajë të mërkurën ndeshjen e kthimit në Portugali. Takimi i parë u fitua nga Roma me rezultatin 2-1.

Gjatë ditës së sotme, trajneri dhe Monçi do të mbajnë një fjalim përpara lojtarëve, ndërsa nuk përjashtohet që të vendoset grumbullimi i ekipit për ndeshjen e sezonit kundër “Dragonjve të Oportos”.

Drejtuesit e klubit i kanë dhënë besim trajnerit për të disatën herë me shpresën që ekipi do të reagojë pas humbjes në derbi dhe do të kualifikohet në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Nëse djemtë e Di Françeskos do të dështojnë kundër Portos, atëherë Di Françesko do të rrezikojë seriozisht postin e tij.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.