Mbeten jashtë liste, misteret e Partizanit të Olsi Ramës

UEFA ka publikuar listën e lojtarëve të Partizanit, që mund të luajnë në Champions League. Në të bien në sy disa lojtarë që mungojnë dhe njëri prej tyre është mesfushori Tijan Jaiteh. 30-vjeçari nga Gambia u afrua me bujë në janar, por në kampionat luajti vetëm tre ndeshje.

Mesfushori ka kryer edhe fazën përgatitore me të kuqtë, por nuk është përfshirë në listë. Për stafin teknik vlejnë më shumë të rinjtë Kote e Kodra, me Jaiteh që duket se e ka prerë biletën për t’u larguar. Gjithsesi duhet më parë të gjendet një zgjidhje për kontratën.

Ndër misteret e Partizanit janë edhe Kevin Mombilo dhe Alesio Hyseni, edhe këta të afruar në janar. Asnjë minutë me të kuqtë dhe nuk janë dukur më pranë ekipit. Nga ana tjetër as nga ana e klubit nuk ka pasur asnjë komunikatë zyrtare për ndërprerjen e kontratave, sikurse ndodhi një ditë më parë me Ardit Hilën dhe Lum Rexhepin.

Një tjetër mister është edhe Renaldo Kalari, i cili në fund të sezonit të shkuar bëri edhe qendërmbrojtësin. Në Europë të kuqtë shkojnë me vetëm dy të tillë dhe me të vërtetë është e çuditshme, pasi një dëmtim i Belicës ose i Bitrit do i nxirrte krejtësisht zbuluar kryeqytetasit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *