Mbërrin portieri i Vardarit, Bekim Rexhepi

0

 

19-vjeçari ka zhvilluar dje seancën e parë stërvitore me kampionët. Ndoshta është menduar për një portier të së ardhmes

 

Leonard Trebicka

 

Te Skënderbeu vazhdojnë afrimet dhe këtë radhë nuk bëhet fjalë për mbrojtës, mesfushor apo sulmues. Ka 24 orë, që në Korçë ka mbërritur portieri Bekim Rexhepi, i cili është rritur te Vardari në Maqedoni. 19-vjeçari shqiptaro-maqedonas vjen pas 4 sezonesh Vardarin dhe dje ka dalë në stërvitje. Ai është stërvitur bashkë me portierin e U-17-ës së Skënderbeut, të dy nën urdhrat e trajnerit Ilir Bozhiqi, por kanë mbrojtur gjithashtu portat në testet, që zhvilloi trajneri Andrea Agostineli. Ka qenë thjesht seanca e parë stërvitore dhe fjalën e fundit për këtë portier do ta thotë përgatitësi Bozhiqi, por vlen të theksohet se është vetëm 19 vjeç dhe ndoshta drejtuesit e klubit po mendojnë për të ardhmen e katërkëndorit bardhekuq. Portieri i parë te Skënderbeu dihet që është Orges Shehi, kurse i dyti Erjon Llapanji, korçari që ka vitin e 7-të që qëndron në stolin korçar, por që ka luajtur shumë pak minuta. Rexhepi pohon se ka qenë pjesë e Vardarit dhe fjalët i ka të pakta pas mbërritjes te kampionët, por gjasat janë që ai të jetë portieri i tretë. Vitin e kaluar drejtuesit e klubit kanë gabuar në afrimin e portierit të tretë, pasi Deniz Troshupa nuk bindi dhe u largua. Tashmë duan që të afrojnë elementë sa më cilësorë dhe ndoshta Bekim Rexhepi do të jetë zgjedhja e duhur. “Nuk di çfarë të them, pasi është hera e parë që vij në Korçë te Skënderbeu. Ndjehem shumë i emocionuar, pasi kampionët e Shqipërisë janë një klub i madh. Do të bëj më të mirën te kjo skuadër, këtë e premtoj,” – ka deklaruar dje për “Sport Ekspres” Bekim Rexhepi, pas përfundimit të seancës stërvitore. Rexhepi, duke qenë se sapo kishte mbërritur nga Maqedonia, nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Peshkopisë, por ka preferuar të kthehet në Shkup, pranë familjes. Ai do të jetë në Korçë sërish ditën e martë, kur skuadra të rinisë stërvitjen. Me këtë përforcim duhet theksuar se kampionët kanë sistemuar edhe repartin e portës.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here