Mbape, dhurata e Perezit për Champions: 135 milionë në tryezë!

Reali e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, me qershinë mbi tortë, duke fituar Ligën e Kampioneve, për të dymbëdhjetën herë në historinë e vet. Pasi ka siguruar “la Duodécima”, makineria e Realit nuk është ndalur. Teksa lojtarët kanë nisur të planifikojnë pushimet e verës, presidenti Perez është në krye të detyrës, me objektiv të vetëm përforcimin e ekipit me lojtarë cilësorë dhe mbi të gjitha të rinj në moshë.

Sipas “Radio Montecarlo”, Reali pritet që shumë shpejt të trokasë përsëri në derën e Monakos për të kërkuar yllin e këtij ekipi Kilian Mbape. Sipas informacioneve të këtij mediumi, Reali i Madridit pritet të ngrejë edhe më lart ofertën e vet për yllin 18-vjeçar të kombëtares franceze në 135 milionë euro. Vetëm disa javë më parë Reali kishte vënë në tavolinë fillimisht 100 milionë euro e më pas 115 milionë euro për sulmuesin e Monakos, teksa shumë shpejt pritet të dalë me këtë shifër astronomike, që do ta bënte Mbapenë lojtarin më të shtrenjtë në historinë e futbollit, duke lënë pas dhe bashkëkombësin e tij Pol Pogba.

Sipas radios që Principatës, Mbape nuk do të transferohet këtë verë tek Reali. Ai do të qëndrojë edhe në sezonin e ri tek Monako, pasi tek Reali nuk do të kishte mundësinë të luante titullar. Ai dëshiron të jetë pjesë e kombëtares franceze në botërorin e vitit të ardhshëm në Rusi dhe për këtë ka shikuar qëndrimin tek Monako si zgjedhjen më të mirë. sakaq, sipas “Radio Montecarlo”, veç Realit të Madridit, për Kilian Mbape janë të interesuar dhe disa klube angleze, Junajtid, Arsenali e Çelsi si dhe Paris SG-ja në Francë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *