Mbajeni mend! Mavraj motivon Kombëtaren, me artikullin e “Sport Ekspres”

Mërgim Mavraj ka zgjedhur të motivojë në rrjetet sociale Kombëtaren kuqezi përpara ndeshjes delikate ndaj Turqisë në transfertë që do të luhet mbrëmjen e sotme në orën 20:45.  Edhe pse nuk do të jetë me grupin në Turqi, për shkak të një dëmtimi të pësuar në krahun e tij, kapiteni jep mbështetjen e tij në një tjetër mënyrë, duke shpërndarë në profilin e tij në “Instagram” një artikull nga gazeta “Sport Ekspres”.

Bëhet fjalë për një artikull që i përket 11 tetorit të vitit 2015, kur “Sport Ekspres” ishte edhe në formatin print, në të cilin flitet për arritjen historike të Shqipërisë në grupet e Euro 2016. Kështu Mavraj i tregon kuqezinjve se për një arritje të tillë duhet të luftojnë edhe sot, 4 vite më pas, ndaj turqve, një fitore ndaj të cilëve do të ndizte edhe më shumë shpresën për një kualifikim të mundshëm. E kemi treguar njëherë se nuk ka asgjë të pamundur në futboll dhe këtë duhet përsërisim sërish./Sport Ekspres/