Mazrekaj shkon në Kosovë? Partizani bllokon lëvizjen

Burba: Ka kontratë të vlefshme edhe për dy sezone me ne. Nuk kemi shkëputur marrëdhëniet me lojtarin

Mentor Mazrekaj ka qenë lajmi i ditëve të fundit te skuadra e Partizanit. Mesfushori nuk ka kaluar një periudhë të mirë së fundmi te skuadra e “demave” dhe po mendon largimin nga kryeqytetasit. Dëmtimi e ka kushtëzuar që të qëndrojë larg fushave të lojës për një periudhë të gjatë. Madje në harkun kohor të 2 viteve akoma nuk e ka rifituar formën e tij të mëparshme. Dëmtimi i tij nuk ka një kurë të mirëfilltë, dikush thotë që e ka psikologjik, e dikush tjetër se operacionet i kanë shkuar keq. Askush nuk e di të vërtetën, fakti është se Mazrekaj çalon, e jo pak. Atmosfera te Partizanit nuk është më aq e mirë dhe pozitive për të, besimi ka humbur dhe tifozët po lodhen. Kjo ka bërë që mesfushori të mendojë edhe për një largim nga të kuqtë. Ekipi i Prishtinës menjëherë ka lëvizur dhe kërkon ta bindë që ta kthejë në skuadër Mazrekajn. Mediet kosovare e quajnë një lëvizje të kryer dhe madje e konsiderojnë mesfushorin si lojtarin më të ri të kryeqytetasve, por diçka e tillë nuk i shkon për shtat Partizanit, kjo për momentin.

SITUATA – Ekipi kosovar i Prishtinës ka folur me Mentor Mazrekajn dhe kanë rënë dakord parimisht për kushtet, por “demat” nuk janë të bindur. Skuadra e kuqe ka rinovuar kontratën me kosovarin dhe sigurisht që nuk do që ta humbë me parametra zero. Mazrekaj mund të largohet nga “demat” vetëm nëse presidenti Demi bie dakord ta lërë të lirë, pasi Prishtina nuk dëshiron të paguajë për të. Drejtuesit e klubit kosovar kanë folur edhe publikisht për kontaktet që kanë pasur me mesfushorin dhe janë optimist për afrimin e tij. Megjithatë, Partizani ka reaguar në lidhje me situatën e mesfushorit.

PARTIZANI – Sekretari i Përgjithshëm i të kuqve, Gerald Burba, ka folur për “Sport Ekspres” në lidhje me situatën e Mentor Mazrekajt dhe lajmet e fundit mbi të. Ai sqaron se futbollisti është nën kontratë me ekipin e kuq dhe se “demat” nuk e kanë lënë të lirë. “I kam lexuar lajmet në lidhje me Mazrekajn, por dua të sqaroj tifozët e Partizanit dhe opinionin publik se kosovari nuk është i lënë i lirë nga klubi. Ai ka kontratë 2-vjeçare me ne”, – shprehet ai për “Sport Ekspres”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *