Mavraj: Vendi i tretë sukses i madh, lamë pas Maqedoninë

Mërgim Mavraj ka folur sot për “Sport Bild” në Gjermani, ku ka dhënë një intervistë të gjatë duke u ndalur kryesisht tek Hamburgu.

Sipas Mavrajt, këtë sezon gjërat po shkojnë mbarë dhe Hamburgu po luan shumë mirë, pavarësisht nga humbja në ndeshjen e fundit kundër RB Lajpcigut.

“Tani jemi më stabël, nuk kalojmë më nga ndeshje të shkëlqyera në disfata zhgënjyese. Edhe në humbjen 2-0 përballë Lajpcig, si skuadër u paraqitëm mirë. Sigurisht që do të ketë edhe ulje-ngritje, por objektivi jonë do të jetë që të kemi sa më pak zhgënjime. Unë shoh një skuadër e cila në fushë punon shumë, shumë mirë. Nuk e lëmë veten të dalim nga rruga që kemi nisur dhe faktorët e jashtëm tani nuk luajnë më një rol të madh. Kemi mungesa të rëndësishme, por skuadra ka treguar në të shkuarën se i përballon mirë këto probleme. Është një mundësi e madhe për ata që nuk luajnë rregullisht, çdo lojtar ka shansin e vet”.

Mavraj flet edhe për kombëtaren shqiptare, që nuk ia doli mbanë të kualifikohej për në Kupën e Botës, ku shanset ishin thuajse zero, në një grup me Spanjën e Italinë: “I druheshim diçkaje të tillë. Grupi me Italinë dhe Spanjën ishte brutal. Ndonëse shpresonim për më shumë, jemi të kënaqur me vendin e tretë në grup. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për vendin tonë dhe më i rëndësishëm se kualifikimi për njerëzit tanë ishte që të renditeshim para Maqedonisë. E arritëm këtë gjë. Por, do të më pëlqente shumë që të luaja në Euro 2020”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *