Mavraj turpërohet në Mynih, fitojnë Cikalleshi dhe “italianët”

0

Një pasdite horror: e tillë mund të konsiderohet ajo e Mërgim Mavrajt dhe Hamburgut në Mynih, ku Bajerni i turpëroi me një fitore 8-0, si shpesh në dekadën e fundit.

Vetëm 17 minuta rezistoi Hamburgu, që u shkërmoq sapo Vidal gjeti golin e avantazhit, ndërsa më pas erdhi furia e golave bavarezë, me Mavrajn që pati një pasdite për t’u harruar, duke qenë dobët si gjithë skuadra e tij dhe duke shkaktuar edhe një penallti, shënuar nga Levandovski, autor i 3 golave.

Nuk i eci më mirë Frajburgut të Amir Abrashit, që u mund keqas 3-0 në shtëpi nga Dortmundi, por Abrashi qëndroi 90 minuta në stol.

Më me fat kanë qenë futbollistët e tjerë të kombëtares shqiptare, duke nisur nga Sokol Cikalleshi, titullar në fitoren 3-0 që Akhisari arriti kundër Antaljasporit të Samuel Etosë. Cikalleshi nuk shënoi, por të paktën po luan rregullisht dhe po mban peshën e sulmit, ndaj goli herët a vonë do të vijë.

Ditë e mbrarë edhe për “italianët”, sepse fituan Avelino e Piza.

Gjimshiti u kthye titullar tek Avelino, duke luajtur një ndeshje të mirë në fitoren 3-1 kundër Viçencës, me mbijetesën që është gjithnjë e më pranë.

Fitore të madhe arriti edhe Piza, 4-2 në Askoli, ndaj një rivali direkt për qëndrim në B. Luajtën Ujkani e Manaj, ky i fundit 60 minuta, ndërsa Edgar Çani luajti 15 minutat e fundit. Paraqitje jo e mirë për Ujkanin, ndërsa më mirë Manaj, i vlerësuar me notën 6, edhe pse mungesa e golit po e mundon shumë psikologjikisht.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here