Mavraj: T’i zbardhim faqen populli tonë!

0

Do të mbajë sërish shiritin, por këtë herë jo në një ndeshje miqësore dhe ndaj një skuadre e cila luan vetëm për prestigj, pasi s’ka objektiva. Në Haifa, ku kuqezinjtë kanë mbërritur, Mërgim Mavraj, përpiqet që të japë sinjalin për kuqezinjtë, në mënyrë që të ngrihen sa më shpejt pas pesë humbjesh radhazi. Ja se si shprehet mbrojtësi i Hamburgut….

Luajmë me Izraelin, çfarë ka ndryshuar për Shqipërinë? Humbja në “Elbasan Arena” erdhi prej gabimeve në mbrojtje, jemi më të brishtë se vitin e kaluar? Dhe a ka çështje për shiritin?

Me një përgjigje i përgjigjem të gjithave. Humbja me Izraelin në shtëpi na dhëmbi shumë, edhe për mënyrën sesi erdhi. Jo vetëm ne lojtarëve, por të gjithë shqiptarët pritën një lojë më të mirë. Gjatë lojës e dëmtuam edhe pak veten. Në këto eliminatore, golat që i kemi pësuar kanë qenë gabimet tona individuale. Ne ishim fajtorët që humbëm me Izraelin dhe ua falëm golat.

Nuk besoj që skuadra ka ndryshuar në krahasim me përpara Europianit. Edhe mënyra e lojës ka ndryshuar, sepse nuk po rrimë vetëm në mbrojtje por edhe po dalim përpara. Kjo nuk është shumë e lehtë, sidomos me ekipe më të dobëta se ne. Duhet të përqendrohemi shumë, për mënyrën sesi mbrohet gjithë skuadra. Mu personalisht, por edhe çunave të tjerë nuk na intereson shiriti. Kryesore është që kemi një mendim loje dhe një qëllim të përbashkët.

Çfarë ka ndryshuar në krahasim me eliminatoret e kaluara, ku në pesë ndeshjet e fundit kemi pësuar 11 gola?

Janë gabime individuale që nuk na ndodhin vetëm ne. Reparti i mbrojtjes ka katër lojtarë, por për të mbrojtur portën nevojiten 11 futbollistë. Nuk kanë qenë raste që i kanë krijuar kundërshtarët. Nuk është se nuk jemi maksimalisht të përqendruar, por në këto nivele kundërshtarët shfrytëzojnë çdo gabim të vogël. Duhet të marrim përgjegjësitë dhe të gabojmë sa më pak.

Si është përgatitur ekipi pas Luksemburgut, atmosfera?

Atmosfera në ekipin tonë, nga ditën e parë që jam unë këtu është e shkëlqyer. Normalisht që nuk është e lehtë pas një humbje me një kundërshtar që është më i dobët se ne. Ajo humbje ndikon disi te atmosfera. Ne si lojtarë më të vjetër jemi ulur bashkë, për të qenë të qartë për mënyrën e lojës, për mentalitetin që na duhet për të fituar në Izrael. Atmosfera nuk është problem. Cilësia sesi kemi luftuar për njëri-tjetrin nuk ka ndryshuar.

Situata që po kalon skuadra pas disa humbjeve radhazi, objektivi vetëm fitorja apo kënaqemi edhe me barazim?

Dëshira ime është që të dalim me faqe të bardhë nga kjo ndeshje. Objektivi ynë duhet të jetë që pas humbjes me Izraelin t’ia zbardhim faqen skuadrës dhe popullit tonë. Është një mundësi shumë e mirë për të kthyer disi atë eufori të vogël që kemi pasur. Ne kemi ardhur për të fituar. Ky është objektivi ynë.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.