Mavraj: Të ndihmoj të varfrit më lumturon më shumë se pasuria e luksi

Në Shqipëri e njohim mirë, Mërgim Mavraj është futbollisti i kombëtares që tregohet më aktiv në ndihmën që jep për shtresat e varfra, duke vizituar zona mjaft të vuajtura e duke dhënë një kontribut të madh, aq sa mundet.

Në Gjermani kjo gjë është e habitshme dhe Bild ka zhvilluar një intervistë me futbollistin shqiptar, duke u munduar të kuptojë arsyet që e shtyjnë Mavrajn të mos shijojë pushimet mes luksit, por të kthehet në Shqipëri për projektet e tij të bamirësisë ..

Mavraj, shokët tuaj të skuadrës po ia kalojnë shumë mirë, ndërsa ju keni kaluar ditët e para të pushimit në Shqipëri. Si ka mundësi?

Prej dy vitesh bashkëpunoj me një organizatë bamirësie që punon për nevojtarët. Ne ndihmojmë që fëmijët të kenë një edukim më të mirë shkollor, sigurojmë mësues të cilët shkojnë në fshatrat e tyre, kujdesemi për më të moshuarit, të sëmurët, ndihmojmë me shtëpitë dhe me puset e ujit, e të tjera…

Çfarë ju shtyn ta bëni një gjë të tillë?

Dua të ndihmoj, ky ka qenë gjithmonë motivimi im. Edhe kur isha më i vogël, në udhëtimet e mia në Shqipëri harxhoja të gjithë paratë e xhepit për njerëzit që jetonin në rrugë. Sot e shoh veten më të përfshirë.

Çfarë doni të thoni?

Po ju jap një shembull të thjeshtë: Unë mund të blej një Roleks në Gjermani ose të ndërtoj një shtëpi në Shqipëri për një familje me shtatë persona. Kjo nuk është një pyetje që më shqetëson shumë. Kam privilegjin që të fitoj shumë para duke luajtur futboll. Përveç kësaj, kisha mundësinë të njihja shumë njerëz të rëndësishëm dhe me influencë. Unë dua të shfrytëzoj këtë, ta përdor siç duhet dhe të bëj gjëra të mira.

Si e përjetoni eksperiencën në terren?

Më trishton, sepse nuk e kuptoj se si është ende e mundur të ekzistojë një gjë e tillë në vitin 2017. Kam parë fëmijë të sëmurë të flenë mbi beton dhe duke jetuar në kushte higjenike katastrofike. Një gjë e tillë do të ishte e pakonceptueshme në Gjermani.

A e ndjeni mirënjohjen e njerëzve?

Po, e kuptoj më vonë, kur kthehem në shtëpi dhe këto familje më dërgojnë video, foto dhe mesazhe. Atëherë e kuptoj se kam bërë gjënë e duhur. Më bën të lumtur shpirtërisht, jo si në rastin kur blen një makinë të bukur.

Si do ta kaloni pjesën tjetër të pushimeve?

Do të qëndroj edhe pak ditë në shtëpinë time pranë Frankfurtit. Pastaj do të udhëtoj drejt ekipit kombëtar dhe më pas në Kosovë, te nëna ime. 

Këlni, ku ju luajtët në pjesën e parë të sezonit, arriti Europën. Hamburgu arriti të mbijetonte. Cila iu emocionoi më shumë?

Të dyja janë arritje të bukura, por ishte më emocionuese eksperienca në Hamburg. Ishte një ndjesi jashtëzakonisht e fortë. Në çdo javë ne luanim një finale, thuajse ishim të detyruar të mos humbnim asnjëherë. Ishte ndjesi mjaft e bukur, që të ndëshkonim ata njerëz që na kishin fshirë nga lista. Diçka e çmendur. Ndoshta ishte më entuziazmuese sesa një titull kampion.

Cili ishte çelësi i suksesit?

Trajneri! Në fazën më delikate ai ruajti qetësinë, gjeti përgjigjet e duhura. Diçka që e pret vetëm nga një si Hajnkes apo Ançeloti. Ishte mbresëlënëse.

Mbijetesa u sigurua. Çfarë duhet të presim në sezonin e ardhshëm?

Është e rëndësishme që ne të kemi nxjerrë mësimet e duhura, të vazhdojmë të besojmë në vetevete dhe të vazhdojmë me përulësi një proces që kemi nisur që në dhjetor. Por është e qartë, nuk duhet të mendojmë më për mbijetesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *