Mavraj: Polemika absurde, e dua Shqipërinë me zemër!

0

Anton Cicani

Një fjalë më shumë, e thënë në një kontekst me nota humori, teksa tifozët e Hamburgut e pyesnin se pse nuk luan me kombëtaren e Gjermanisë, duke qenë se është rritur profesionalisht në këtë vend, ka bërë që në rrjetet sociale dhe portale të ndryshëm të kthehet në çështje kombëtare. “Për fat të keq nuk munda të luaj për Gjermaninë, ndoshta ngaqë isha shumë i dobët për ata”. Mërgim Mavraj sot është kandidat për të marrë shiritin e kapitenit të Shqipërisë pasi ka veshur këtë fanellë për më shumë se 30 ndeshje dhe duke shënuar edhe gola deçizivë, si ai ndaj Armenisë, në Elbasan, ndeshje e cila u luajt nga mbrojtësi teksa i ati luftoi me vdekjen deri në fund, duke u ngjitur në qiell më pas, pikërisht kur i biri ngrinte në qiell zemrat e shqiptarëve. Ishte po ajo ndeshje ku ai rrezikoi karrierën dhe luajti me brinjën gati të thyer, e cila nëse do të merrte një tronditje, mund ta linte me pasoja të mëdha. Dje, në statutin e tij në Facebook, mbrojtësi do të shkruante kështu: “Më duhet të sqaroj një deklaratë timen dhënë për tifozët e Hamburgut që është transformuar dhe rrjedhimisht, keqpërdorur. Sigurisht që kam respekt për vendin ku familja ime gjeti strehim, punë dhe ushqim. Unë ndjej dashuri për këtë vend. Atdheu im është Shqipëria dhe gjuha ime është shqipja. Në fushë s’jam kursyer kurrë, duke rrezikuar edhe karrierën. Mërgim Mavraj nuk është atdhetar i rrjeteve sociale, por i fushës”.

Një deklaratë e fortë, një statut që sigurisht tregon se mbrojtësi i Hamburgut, i lindur dhe rritur në Gjermani, e ndjeu të nevojshme. Jo vetëm kaq, por për “Sport Ekspres” ka folur me zemër të hapur, në lidhje me kaosin e krijuar: “Ndihem me fat që isha pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe s’do të harroj kurrë ditën kur mbërrita në Shqipëri, në grumbullimin e parë. Nuk njihja njeri, por ndihesha si në shtëpi. Kanë kaluar shumë vjet nga ajo ditë, sigurisht, por për mua duket sikur ka ndodhur dje. Nuk e di pse duhet që njerëzit të jenë dashakeq dhe të përdorin gjithçka për të krijuar përçarje dhe këtu flas për vetëm një pjesë… Nuk e di se ku buron ky negativitet. Siç e shkrova edhe në statutin tim në Facebook, jam unë, Mërgim Mavraj, atdhetari i fushës. S’jam kursyer kurrë dhe kam luajtur edhe përkundër dëshirës së mjekëve. Ndoshta, duke gabuar, por e ndjej detyrim ndaj atdheut tim, ndaj tifozëve të mi. Sa keq që të gjitha këto, për një deklaratë e cila është krejt normale, bien poshtë. Atëherë, sqaroj se jam pyetur mbi Gjermaninë, lindjen time aty dhe lidhjen e ngushtë, pasi kam veshur fanellën e moshave. Thjesht, ka qenë dëshirë e imja, në atë moshë, që të vishja fanellën e Gjermanisë, siç është edhe normale, sepse u rrita në një tjetër kulturë, por si mund të mohoj origjinën dhe atdheun tim? Nuk më duket kurrsesi normale dhe diçka e palogjikshme. Kërkoj ndjesë nëse dikush është ndjerë i fyer nga ajo fjali, por e përsëris, mirënjohja ndaj Gjermanisë është e madhe. Im atë sot nuk jeton më, por nëse ky vend kaq i madh, Gjermania, s’do t’i hapte dyert, sot Mërgim Mavraj s’do të ishte duke veshur fanellën e Shqipërisë dhe as do të ishte bërë futbollist… S’do të kishte përjetuar kualifikimin magjik, ashtu si të gjithë tifozët. Shembujt në botë të kampionëve të mëdhenj që edhe pse kanë origjinën e një vendi, luajnë me atë ku lindën dhe u rritën janë të shumtë, por kurrë asnjë nuk i ka paragjykuar. Ndoshta ne shqiptarët jemi kështu, më të prekshëm, por diçka dua të sqaroj: në jetën time do t’i shërbeja Shqipërisë edhe me një këmbë…”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image