Mavraj: Nuk duhet kapiteni, por 11 luftëtarë

Shqipëria e Panuçit ka shumë risi, por edhe disa pika kyçe, si Mërgim Mavraj, prej vitesh një garanci në prapavijën kuqezi dhe një lider në fushë e jashtë saj. Gjithsesi, Mavraj nuk i jep rëndësi shumë kush e merr shiritin, tani që nuk është më Ansi Agolli, i cili është lënë jashtë për miqësoren ndaj Norvegjisë.

“Në fushë duhen 11 liderë, nuk ka shumë rëndësi nëse është larguar Lorik Cana apo dikush tjetër, që një përfaqësuese të ketë sukses duhet të ketë në fushë 11 luftëtarë që japin më të mirën për skuadrën. Nuk ka shumë rëndësi se kush është kapiteni, rëndësi ka që të gjithë futbollistët të japin maksimumin e tyre në fushë”.

“Mosha bën të vetën, Panuçi është disi më energjik se De Biazi dhe ndryshon nga ai. Mbrojtja me asnjë nga trajnerët nuk ka qenë problem kështu që besoj se do të vazhdojmë të bëjmë paraqitje të mira në këtë repart”.

“Në futboll rëndësi kanë vetëm rezultatet dhe jo mënyra sesi luan skuadra. Është e vërtetë që tashmë jemi më të prirur drejt sulmit, por edhe De Biazi ka meritat që kombëtarja është në këtë nivel që ndodhet sot”.

“Të rinjtë kanë sjell entuziazëm po bëjnë maksimumin për t’u përshtatur sa më shpejtë dhe të futen në mekanizmat e skuadrës. Sigurisht që Shqipëria e ka grupin për të luajtur me skemën 4-3-3”.

“Është shpejt për të folur për Europianin e ardhshëm por ne do të bëjmë gjithçka për të qenë pjesë sërish në kampionatin europian atë të vitit 2020”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *