Mavraj-Abrashi, Cana nuk do ishte sjellë kështu!

0

Gjergji Stefa

Kur mendon që Mërgim Mavraj ka në ndërgjegjen e tij ambicien për t’u bërë kapiten i Shqipërisë edicionin e ardhshëm, të vjen pak inat. Shqiptar është dhe ai sigurisht, madje një lojtar shumë i rëndësishëm, por shiriti i kapitenit ka qenë gjithnjë i veçantë për një grup lojtarësh që ndër dekada më shumë se sa cilësitë janë vlerësuar për sakrificën, atë ç’kanë bërë për flamurin dhe, pa asnjë dozë patetizmi, dashurinë për t’iu përgjigjur thirrjes në çdo lloj situate. Mavraj, se ndokush edhe e ka harruar, të paktën për 6 vite e ka refuzuar sistematikisht Shqipërinë me shpresën se një ditë do luante me Gjermaninë, madje në ndonjë rast me polemika – kujto kur Federata i kërkonte të kthente pas pasaportën e dhënë për futboll – dhe ky detaj, sado me vlerë të jetë formacioni me të, nuk duhet harruar. Sigurisht që disa prej lojtarëve që luajnë sot në Kombëtare disa vite më parë kanë tentuar të luajnë me Kombëtaret e tjera, megjithatë nuk ua zbeh kontributin e tyre, pasi erdhën te Shqipëria kur iu mbyllën disa dyer të rëndësishme. Përkundrazi të mirëseardhur qofshin të gjithë ata të cilët në një moment të jetës së tyre duan të kontribuojnë për Shqipërinë. Por Shqipëria, sado e vogël, ka ca rregulla, ka ca parime dhe ka ca sakrifica. Kështu është Shqipëria, do s’do Mavraj. Dje luajti titullar nga minuta e parë, madje një ndeshje të shkëlqyer me Hamburgu. Tetë ditë më parë në Palermo nuk vraponte dot me Shqipërinë kundër Italisë, aq sa madje refuzoi që të vinte dhe vizitohej te mjekët e Kombëtares. Mrekullitë ndodhin, ndërsa sakrificën e zgjedh. Ndoshta është një nuhatje, por Mavraj ka refuzuar të sakrifikojë për Shqipërinë.
Një lloj refuzimi ka bërë dhe Abrashi. Dhe ai luajti dje në Bundesligë titullar, ndërkohë pas Italisë u largua nga grumbullimi kuqezi duke bindur mjekët se ishte i dëmtuar dhe nuk mund të ishte i gatshëm në miqësoren ndaj Bosnjes. Sigurisht, pas atij largimi shihet një lloj mërie me De Biazin, por si thuhet në raste të tilla, Se Biazi është italian, sot është e nesër nuk është, e mbi të gjitha është trajner. Ti je ushtari i fanellës, ushtari i Shqipërisë.
Në shenjë respekti kundrejt gjithë atyre që kontribuojnë në përfaqësuese, madje me sakrifica, është e pashmangshme të thuash se Mavraj dhe Abrashi, ndoshta, e duan në mënyrë të limituar kombëtaren. Nga dashuria ndonjëherë dhe vritesh. Ata nga dashuria u shëruan! Lorik Cana nuk do ishte sjellë kështu!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here