Marsial bën Ronaldon, Man Utd mposht Realin pas penalltive të çmendura

Ndeshja e radhës në International Champions Cup në Amerikën e Veriut vendosi përballë mbrëmë Mançester Junajtid me Realin e Madridit, në Santa Klara të Kalifornisë. Stadiumi i nuk ishte aspak plot, edhe pse shifrat zyrtare flisnin për 65 mijë bileta të shitura, nga 68 mijë vende që ka Levi’s Stadium. Mungoi Kristiano Ronaldo, i impenjuar me fushata publicitare në Kinë, ndaj interesimi nuk ishte ai normali.

Reali luante miqësoren e parë sezonale, ndërsa Man Utd deri tani kishte mposhtur LA Galaksi 5-2, Real Solt Lejk 2-1 dhe Mançester Sitin 2-0.

Në fushë, Mançester Junajtid e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0, me një gol të shënuar nga Xhesi Lingard në shtesë, por ishte Antoni Marsial ai që mahniti me disa triblime fantastike, para se të shërbente për autorin e golit. Ishte perla e vetme në një pjesë të parë të varfër.

Në pjesën e dytë të dyja palët ndërruan gjithë formacionin dhe loja u bë më e bukur. Në minutën e 69të Reali fitoi një 11-metërsh (Lindelof pengoi Teo Hernandezin), që e shënoi Kasemiro.

Pa fitues, u nevojit gjuajtja e penalltive dhe aty erdhi çudia: Marsial, Kovaçiç, MekTominej, Oskar, Lindelof, Hernandez dhe në fund Kasemiro gabuan, ndërsa shënuan vetëm Mkitarjan, Quezada dhe Blind.

Në këtë mënyrë, pas 10 penalltive, Man Utd fitoi 2-1, duke shkuar në kuotën e 5 pikëve në 2 ndeshje në International Champions Cup, ku të mërkurën do të ndeshet me Barcelonën, ndërsa Reali me Mançester Sitin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *