Marota i shuan shpresat Ikardit: Nuk ia japim armikut!

Bepe Marota, drejtori sportiv i Interit, zgjodhi të sillte te zikaltrit Antonio Konten si trajner. Së bashku kanë punuar te Juventusi dhe kjo ia ka lehtësuar bisedimet atij. Këtë gjë e shprehu edhe në konferencën e sotme për shtyp, ndërkohë që foli edhe për merkaton dhe emra të përveçëm.

ZGJEDHJA E KONTES – “E kemi ndjerë së bashku me pjesën tjetër të shoqërisë, që në këtë moment historik kishim nevojë për një trajner si Antonio Konte. Nuk kishim asnjë dyshim, ishte zgjedhja e parë dhe e vetme. Është një trajner fitues dhe një nga më të mirët në botë. E njohim mirë. Kam punuar me të më parë dhe kjo na i lehtësoi tratativat. Kemi një projekt ambicioz dhe duam ta rikthejmë Interin fitues”.

REBELËT – “Kemi të drejtën t’i zgjedhim protagonistët e këtij projekti dhe vlerat e tij. Na duhet impenjim, respekt, kulturë pune dhe mentalitet fitues, vetëm kështu mund të arrihen objektivat. Kemi vendosur së bashku me drejtuesit klubit dhe trajnerin që Naingolan dhe Ikardi nuk shkojnë me idetë dhe projektin tonë. Bëmë një zgjedhje kurajoze, të sigurt se po vendosim për të mirën e klubit, pa treguar mungesë respekti ndaj dy profesionistëve”.

“Ikardi? Nëse do të qëndrojë me ne, në fund të merkatos do të flasim drejtpërdrejt me të. Jemi optimistë që mund të gjejmë zgjidhjen më të mirë për të gjithë. Juventusi? E përjashtoj, pasi nuk janë kushtet. Vullneti i lojtarit bën diferencën, por nga sot te Juventusi nuk i shohin as hijen. Shkëmbimi me Dibala është një utopi. I di cilësitë e Paulos dhe më duket e vështirë që diçka e tillë mund të ndodhë. Gjithsesi merkato është e hapur”.

MERKATO – “Barela? Çdo klub ka të drejtë t’i vendosë çmimin lojtarëve të vet. Blerësi më pas ka të drejtë të mbrojë veten. Xheko? Ai është një objektiv, madje ka shprehur edhe vlerësimin e tij për Interin. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Barelën”.

“Lukaku? Po punojmë, por nuk duhet të harrojmë që kemi edhe bilanc për të respektuar. Idetë i kemi të qarta dhe duam ta kompletojmë ekipin që tani, por nuk kemi pse nxitohemi”, është shprehur mes të tjerash Marota gjatë konferencës për shtyp.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *