Marku: Deri në fund për fitore, Vllaznia mendon për titullin dhe Superioren

0

Mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Antonio Marku, nuk është aktivizuar plotësisht në këtë sezon pas disa dëmtimeve. Rikthimi i tij në fushë erdhi me golin e barazimit në ndeshjen e Kupës ndaj Kamzës në turin e dytë, ndërkohë që të shtunën ai ishte një nga shtyllat e mbrojtjes në fitoren me Korabin.

Vllaznia u rikthye në stadiumin “Loro Boriçi” pas një periudhe të gjatë dhe kjo fitore i forcoi më shumë pozitat e shkodranëve në kreun e renditjes. Për SportEkspres.com, Marku deklaron se Vllaznia po e respekton garën deri në fund, ndërsa Korabi ishte një rival i vështirë.

“Me Korabin ishte ndeshja e tretë në këtë sezon dhe kjo fitore nuk ishte e lehtë, pasi dibranët janë rivalë të vështirë. Rezultati minimal 1-0 nuk i ul vlerat e skuadrës për këtë fitore. Ne po e respektojmë garën dhe deri në fund të këtij sezoni do të luajmë vetëm për fitore, pa asnjë lëshim me çdo kundërshtar”, u shpreh Marku.

Mbrojtësi tregon se skuadra po mendon edhe për fitore në finalen e Kategorisë së Parë me Bylisin. Marku këto emocione i nis që në javën e ardhshme ndaj Dinamos. “Unë kam luajtur dy sezone në elitë me Dinamon (2010-2012) dhe sfida me ta për mua do jetë e veçantë. Tashmë Vllaznia po mendon për Superioren, por edhe për finalen e Kategorisë së Parë. Me sa duket finalisti tjetër do të jetë Bylisi i Ballshit. Synimi ynë është që ne ta fitojmë atë sfidë”, përfundon Marku.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.