Marko: Gjykimet, në nivelin e kampionatit. Ju tregoj skemën më të përshtatshme

0

Në këndvështrimin e tij për ndeshjet e javës së 17-të të Kategorisë së Parë, ish-futbollisti e trajneri i Dinamos, Andrea Marko, deklaron për SportEkspres.com se renditja është formatuar dhe java e 18-të nuk pritet të ndryshojë minigrupet. Sipas tij, kjo nuk është formual e duhur në këtë kategori, dhe krijimi i Ligës Profesioniste do të ndihmohej më shumë nëse do të kishim një grup me 16 skuadra në përbërje.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Janë luajtur 9 nga 10 ndeshjet e javës së 17-të të Kategorisë së Parë, si i përshkruani rezultatet?
-Në tërësi, rezultatet e ndeshjeve të javës së 17-të në Kategorinë e Parë ishin të pritshme, duke veçuar fitoren e Lushnjes me Besën, si dhe fitoren e Orikumit në tranfertë me Apoloninë. Elbasani gaboi me barazimin në fushën e tij, po ashtu edhe Iliria me Besëlidhjen.

Duke ju referuar skuadrave që kërkojnë kreun në dy grupet dhe atyre më të rrezikuara për mbijetesë, çfarë treguan ato në këto sfida?
-Treguan se janë të denja për ato vende. Vllaznia është e sigurt në krye të Grupit A, po kështu Bylisi në Grupin B. Edhe pse nuk luajtën me Tomorin, ballshiotët e ruajtën kreun dhe distancën me Besën. Vora dhe Turbina duken dy skuadrat më të rrezikuara për rënie nga kategoria.

Një ndeshje nuk u luajt, e shikoni me rrezik mosparaqitjen e Tomorit në ndeshjen në Ballsh?
-Tomori zgjodhi mënyrën e kokëfortësisë, por harroi që Rregulloren e FSHF-së që e ka miratuar në nisje të sezonit. Pavarsisht padrejtësisë që ju bë me Apoloninë, duhet ta vazhdojë garën dhe të mos niset nga interesa të individëve, që nga ana profesionale nuk e justifikojnë drejtimin e skuadrës.

Këtë javë ka patur shumë ankesa për gjykimet, mendoni se arbitrat duhet të marrin fajin e dështimeve të skuadrave?
-Arbitrat janë njerëz dhe do gabojnë. Gabime bëhen edhe ndaj Partizanit e Kukësit, por kjo nuk do të thotë se ata janë fajtorët. Në Kategorinë e Parë niveli i gjykimeve është i barabartë me ato të skuadrave, ndaj them se nuk ka ndonjë të veçantë mes tyre në garën e kampionatit.

Mund të themi se java e 17-të i “saldoi” pozicionet e skuadrave në renditje për fazën e dytë?
-Përfundimisht kjo renditje do të mbetet edhe pas ndeshjeve të javës së 18-të, me ndonjë ndryshim që nuk do ndikojë në formimin e minigrupeve. Ndjej keqardhje për Elbasanin në fundin e renditjes, por edhe për Besën në rivalitetin për kreun e Grupit B me Bylisin.

Kategoria e Parë do të luajë fazën e tretë me përgjysmimin e pikëve, është kjo formula e duhur për këtë kategori?
-Unë mendoj se jo, sepse duke parë që kemi disa skuadra që kanë luajtur edhe në Superiore, njëherësh edhe me krijimin e Ligës Profesioniste, një kampionat me 16 skuadra dhe një grup do ta shtonte më shumë cilësinë në këtë kategori. Gjithashtu do ta forconte edhe Ligën me futbollistët e saj.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.