Maribori i Ahmedit, rekord trofesh dhe eksperiencë e madhe në Europë

Partizani ka peshkuar rivalin më të vështirë të mundshëm në Europa League, sepse Maribori i Sllovenisë është një kundërshtar që mbi të gjitha ka shumë eksperiencë ndërkombëtare, krahasuar me rivalët e tjerë të mundshëm.

I themeluar në vitin 1960, Maribori është klubi më i mirë në Slloveni, me 14 tituj kampionë e 9 kupa.

Prej vitit 1992, Maribori ka marrë pjesë thuajse çdo vit në kupat e Europës dhe ka pasur suksese madhore, mjafton të përmendim faktin që shkon shpesh në grupe dhe sezonin e fusni mbërriti në grupet e Champions League, duke regjistruar në total 13 ndeshje në Champions, me 4 fitore e 4 humbje.

Në sezonin e fundit Maribori i drejtuar nga Marko Milaniç (në drejtim prej marsit 2016) ishte shumë pranë titullit, sepse kryesoi për një kohë të gjatë, por e humbi në fund, pasi u mund nga Olimpija në përballjen direkte dhe titulli shkoi në Ljubjanë, edhe pse dy ekipet e përfunduan me pikë të barabarta.

Ekipi i sezonit të fundit ishte shumë cilësor: vlera në Transfermarkt është 12,45 milionë euro, më shumë se dy herë më e lartë se e Partizanit.

Lojtari më i rëndësishëm është sulmuesi 22-vjeçar Luka Zahoviç, i biri i legjendarit Zllatko Zahoviç, me vlerë 1,1 milionë euro. Më pas, mbrojtësi i djathtë Milec vlen 900 mijë euro, sulmuesi qendror Meshanoviç 850 mijë dhe mesfushori Vërhovec 800 mijë.

Lojtari më i aktivizuar sezonin e fundit ishte portieri 40-vjeçar Jasmin Handanoviç, me 33 ndeshje të plota në kampionat, ndjekur nga mbrojtësi i kombëtares sllovene Viler, me 32 ndeshje të plota.

Shënuesit më të mirë ishin Luka Zahoviç, 18 gola në kampionat, 1 në kupë e 1 në Champions, ndërsa braziliani Tavaresh shënoi 17 gola në kampionat dhe 5 në Champions.

Këtë verë Maribori ka blerë portierin e kombëtares boshnjake Kenan Piriç nga Zrinjski, duke gejtur pasuesin e denjë të Handanoviçit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *