“Maradona” 10-vjeçar u pagua 120 milionë, një përrallë pa fund të lumtur

Ndoshta askush nuk e mban mend, por thuajse 20 vite më parë faqet e para të gazetave në Itali u mbushën me lajme në lidhje me një djalë 10-vjeçar, i cili kushtoi 120 milionë lira, shifër goxha e madhe për kohën, aq sa plasën polemikat se si mund të shpenzohet aq shumë për një fëmijë. Bëhet fjalë për Vinçenco Sarnon, fëmija-fenomen, historinë e të cilit e ka rikthyer në skenë Sky Sport, duke marrë shkak që Sarno sapo ka firmosur për Padovan, në Lega Pro.

Ishte viti 1999, 28 janar, kur mediat shpërthyen me lajmin e transferimit të Sarnos, Maradonës së vogël, i cili ishte rritur në një lagje të Napolit dhe në moshën e tij nuk kishte rival, aq sa Torino i pagoi familjes së tij 120 milionë. Ofertë që nuk mund të refuzohej, sepse babai Ernesto kishte gruan dhe 5 fëmijë, ndërsa Torino i mbuloi edhe transferimin familjarisht në Torino, por edhe një punë atje.

Sarno kishte spikatur  në një turne fëmijësh dhe kishte mahnitur vëzhguesit, nga Napoli te Parma e deri te Koventri anglez.

Në fund familja Sarno preferoi ofertën e Torinos, ndërsa pakkush mendoi se çfarë dëshironte fëmija, i cili në fakt kishte qejf të luante futboll, edhe pse ishte tifoz me Juventusin dhe e kishte bërë të qartë me sinqeritetin e tij fëminor, kur ishte i ftuar në një emision televiziv, i famshmi “Porta a Porta” i Bruno Vespës, ku djaloshi 10-vjeçar kishte në krah emra si Mançini e Batistuta.

Idhulli i tij ishte Aleks Del Piero, i cili bëri Kasandrën: “I uroj shumë fat, por shpresoj që të vazhdojë të sillet si një dëmijë 10-vjeçar dhe të zbavitet”. Suksesoi nuk është i garantuar, talenti në moshën 10 vjeç nuk vlen fare 10 vite më vonë, raste të tilla ka plot.

Në Torino shkoi keq, Sarno iku pak muaj më vonë, duke u kthyer në Napoli, ndërsa më pas shkoi te të rinjtë e Romës, pa ia dalë mbanë. Që atëherë, mes Lega Pro dhe Serisë B, ndërsa tani shkon te Padova, aty ku e nisi karrierën Del Piero, por tashmë Sarno është 30-vjeçar dhe jeton me kujtime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *