Mançini: Ture bindet me mashtrime

0

Është Fredi Guarin njeriu i kthesës së Interit. Në dy fitoret e fundit të skuadrës zikaltër, kolumbiani ka arritur të realizojë 3 gola ka dhënë 3 asiste dhe ka fituar 1 njëmbëdhjetemetërsh, shifra këto me të vërtetë domethënëse për një lojtar që gjatë 2 viteve të fundit ka qenë hija e vetvetes te Interi. Transformimi i Guarin është i dukshëm dhe për këtë një meritë të madhe e ka trajneri Roberto Mançini. Ky i fundit në një intervistë u përpoq të shpjegojë se si ka ndikuar ai në këtë rilindje të 28-vjeçarit. “Guarin zotëron aftësi të jashtëzakonshme, e vetmja gjë që duhet të bënte ai, ishte të kishte besim në vetvete. Tashmë është edhe më mirë psikologjikisht dhe është më i qetë, ky fakt ka ndikuar në rilindjen e tij pasi kualitet gjithmonë i ka pasur. Si e kam transformuar unë Fredin? Këto janë gjëra sekrete dhe nuk mund t’i them.” Dy fitore radhazi për më tepër me rezultate bindëse mund t’i shërbejnë Interit për t’u rikthyer në rrugën e duhur. Gjithsesi sipas Mançinit skuadra ka ende shumë për t’u përmirësuar. “Kur bëhet një ndryshim në drejtim është më se normale që të hasësh vështirësi. Idetë e mia taktike janë totalisht të ndryshme nga ato Maxarrit dhe djemtë e kanë vuajtur disi një gjë të tillë. Për këtë fakt edhe gabimet kanë qenë të shumta. Madje të tilla gabime kanë qenë të pranishme edhe në dy sfidat e fundit, prandaj unë mendoj se kemi ende edhe shumë punë nëse duam të përmirësohemi.” Pasi Mançini u transferua te Interi është folur për një klauzolë që ka të bëjë me një largim të mundshëm të tij nëse në të ardhmen në adresë të 50-vjeçarit vjen një ofertë më e mirë. Por ish-trajneri i Galatasarajit dhe Mançester Sitit e mohoi kategorikisht një opsion të tillë ndërkohë që Mançini tregoi edhe recetën se si ai mund të bindë një lojtar si Jaja Ture të bëhet pjesë e zikaltërve. “Në jetë mund ta lësh gjithmonë diçka nëse dëshiron. Kur një person nuk ndihet mirë në një vend të caktuar është e drejtë që ai të ndryshojë. Një largim i imi nga Interi edhe mund të ndodhë, por dua t’ju them që në kontratën që kam nënshkruar me klubin nuk ekziston asnjë klauzolë e tillë. Jaja Ture? Ai është një lojtar gjigant dhe i jashtëzakonshëm. Është e vërtetë që Ture nuk dëshironte të transferohej te Siti disa vite më parë, por unë me disa mashtrime nga ato te miat arrita ta bind. E njëjta gjë mund të ndodhë sërish. Për të lënë mënjanë shakatë Jaja është një lojtar i Mançesterit dhe ai është shumë i rëndësishëm për ta. Të shohim se çfarë do të ndodhë.”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image