Mançini prezantohet: Italisë nuk i thuhet jo. Baloteli do të kthehet

Italia ka një trajner të ri, pasi sot është prezantuar Roberto Mançini, i cili ka firmosur në selinë e federatës italiane, është prezantuar dhe ka zhvilluar konferencën e parë për shtyp si trajner “axurr”.

“Jam shumë i emocionuar. Nuk të ndodh shpesh të të ofrojnë postin e trajnerit të Kombëtares, jam i lumtur, krenar dhe i emocionuar. Ka qenë zgjedhja e duhur dhe ka qenë zgjedhje shumë e thjeshtë, nuk mund të refuzoja. Falënderoj ata që më deshën këtu, falënderoj edhe trajnerët që gjatë karrierës sime më kanë ndihmuar të rritem. Kombëtarja është maksimumi për çdo trajner, mendoj se ka ardhur momenti i duhur për mua. Mungesa në Botëror ka qenë një goditje e rëndë dhe mendova se mund të bëj diçka për Kombëtaren”, e nisi konferencën për shtyp Mançini, i cili sapo është ndarë nga Zeniti në Rusi.

PIRLO DHE BALOTELI – “Gjëja më e bukur në Kombëtare është që nuk duhet të bësh merkato, nuk flitet për blerje e shitje. Italia do t’i gjejë gjithnjë lojtarët cilësorë. Mario është italian, do flas me të dhe me shumë gjasa do të grumbullohet. Duam ta shohim në maksimumin e vet, si në Euro 2012. Me Pirlon kemi biseduar, do të flasim sërish, të shohim ç’mund dhe ç’dëshiron të bëjë, në stafin e Kombëtares”.

SYNIMI – “Dua të jem një trajner i zoti, edhe pse nuk kam pasur shumë fat në karrierë. Dua ta rikthej Italinë në majën e Europës, sepse nuk e fitojmë Europianin prej shumë kohësh. Dua të jem ai që do ta rindërtojë Italinë, për ta kthyer në nivele të larta”.

BUFON DHE DE ROSI – “Do flasim me Xhixhin, të shohim për ndeshjen e 4 qershorit në Torino. Edhe De Rosi i ka dhënë shumë Kombëtares, do të bisedoj me të, për të parë qëllimet e tij. Kush është në maksimum, do të grumbullohet”.

MARRËDHËNIA ME KLUBET – “Kombëtarja është e rëndësishme, e pamë çfarë zie pllakosi pas eliminimit nga Suedia. Duhet respekt për klubet dhe lojtarët, që luajnë pa fund gjatë një sezoni. Ndonjëherë do të lë disa lojtarë pushim, nuk është e detyrueshme të grumbulloj gjithnjë më të rëndësishmit”.

SFIDA – “Nëse nuk fiton me një klub, mërziten vetëm tifozët e atij klubi, nëse nuk fiton në Kombëtare, zemërohen 50 milionë njerëz. Do ishte një kënaqësi e veçantë triumfi me Kombëtaren. Është e vështirë qëtë kënaqen të gjithë, çdo tifoz e mendon në mënyrën e vet, por shpresoj të kthehemi te fitoret, vetëm ato i bashkojnë të gjithë”.

TAKTIKA – “Duhet të njoh disa lojtarë, të cilët nuk i njoh mirë. Do të përshtatem me cilësitë e tyre, më pas do të vendosim”.

FITORE, APO LOJË E BUKUR? – “Më mirë të luash mirë dhe të fitosh. Ne do të kërkojmë të kemi sa më shumë lojtarë teknikë në skuadër, për të luajtur futbollin më të mirë të mundshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *