Mançini lëshon alarmin: Aktivizoni lojtarët italianë, Baloteli ka humbur… 8 gramë

31 lojtarë të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës, ndaj Polonisë dhe Portugalisë. Shumë fytyra të reja në skuadër, mes të cilëve spikasin dy talentët e rinj Xaniolo dhe Pelegri. Roberto Mançini argumentoi zgjedhjet e tij, duke lëshuar edhe alarmin e aktivizimit të pakët të lojtarëve italianë.

“Në kampionatin tonë është kaq i ulët aktivizimi i futbollistëve italianë, sa duhet të shpikim diçka. Kjo është arsyeja përse kam grumbulluar disa lojtarë. Besoj se ka shumë italianë të aftë, të cilët penalizohen, sepse në vend të tyre luajnë shumë të huaj”, ishte deklarata e trajnerit të përfaqësues.

Mançini foli për talentët e afruar: “Xaniolo dhe Pelegri janë dy lojtarë, të cilët duam t’i ndjekim nga afër, sepse besojmë që kanë shumë kualitet. Duam të japim një mesazh të fortë: ata që paraqiten mirë në nivel moshash, mund ta bëjnë edhe me kombëtaren e madhe”.

Italia e nis aventurën në Ligën e Kombeve më 7 shtator në shtëpi ndaj Polonisë dhe objektivi janë tri pikët, për të udhëtuar më të qetë në Lisbonë, ku më datë 10 do të përballen me Portugalinë, kampione të Europës në fuqi. Që kjo të ndodhë, Mançini kërkon nga Beloti “të kthehet në lojtarin që shënonte me vazhdimësi”, ndërsa lëshoi edhe një batutë për Mario Balotelin: “Mendoj se është mirë fizikisht. A ka rënë në peshë? Po, besoj se ka humbur 8-9 gramë…”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *