Mançester Junajtid gjunjëzohet përpara dyshes Dibala-Ronaldo

E gjithë vëmendja ishte përqendruar te rikthimi i Kristiano Ronaldos në “Olld Traford”, por skenën e mori Paulo Dibala. Ylli argjentinas, emri i të cilit është përfolur si një alternativë që skuadra e Zhoze Murinjos të përforcohet në sulm, realizoi golin që vulosi fitoren 1-0 të Juventusit në fushën e Mançester Junajtid.

Dibala zhbllokoi ndeshjen në minutën e 17-të, duke i dhënë bardhezinjve avantazhin e merituar, me kampionët e Italisë që ishin dukshëm më superiorë dhe më kërkues gjatë pjesës së parë. Goli i pestë i talentit të Juventusit në katër ndeshjet e fundit në Champions, aq sa kishte shënuar deri më tani në plotë 24 takime të luajtura.

“Djajtë e Kuq” prodhuan shumë pak gjatë pjesës së parë, madje nëse në portë nuk do të ishte De Gea, rezultati do të kishte qenë edhe më i thellë. “Gardiani” koleksionoi pritje të shkëlqyera, përballë tentativave të shumta të Juventusit me Zhoao Kanselon, Matuidi, e madje i mohoi edhe Kristiano Ronaldos golin e ish-it.

Mançester Junajtid provoi të bënte diçka më tepër gjatë pjesës së dytë të takimit, duke kërkuar të evitonte humbjen dhe të evitonte arratisjen e rivalëve, por shtylla i mohoi golin Pol Pogba në minutën e 75-të, Lukaku nuk kishte saktësinë e duhur, ndërsa portieri Shezni nuk lejoi portën të prekej pas tentativës së Antoni Marsial në sekondat e fundit.

Me fitoren e arritur, Juventusi ruan ecurinë perfekte në Grupin H të Champions League, me 9 pikë të plota pas tre ndeshjeve të para, ndërsa duhet theksuar se bardhezinjtë nuk kanë pësuar ende asnjë gol. Skuadra e Alegrit është praktikisht me një këmbë në turin tjetër. Mançester Junajtid mbetet në vendin e dytë, me 4 pikë të grumbulluara, të ndjekur nga Valencia (2 pikë) dhe Jang Bojs (1).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *